Sport

Finalja Partizani - Egnatia/ Mësohet asistentët e Anthony Taylor, do të gjykojnë së bashku edhe në “Euro 2024”...

FSHF bën me dije se është arritur akordi që dy asistentë të jenë Gary Beswick (asistent i parë) dhe Adam Nunn (asistent i dytë), ndërsa sistemi VAR i është besuar Robert Jones.

22 Maj 2024, 11:13 Nga DOSJA
Finalja Partizani - Egnatia/ Mësohet asistentët e Anthony Taylor, do

TIRANE - Edhe pak ditë na ndajnë nga finalja e madhe për titullin kampion në “Abissnet Superiore”: Partizani - Egnatia, që do të zhvillohet të dielën, më 26 maj, në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”.

Dy skuadrat më të mira të sezonit do të përballen në një betejë të vërtetë, ku do të vendoset gjithçka, ndërsa ndeshjen do ta drejtojë gjyqtari anglez, Anthony Taylor. Por jo vetëm Taylor, pasi edhe dy asistentët e tij dhe gjyqtari i dhomës VAR do të jenë anglezë.

Departamenti i Komunikimit në Federatën Shqiptare të Futbollit bën me dije se është arritur akordi që dy asistentët e Taylor të jenë Gary Beswick (asistent i parë) dhe Adam Nunn (asistent i dytë), ndërsa sistemi VAR i është besuar Robert Jones.

Të tre gjyqtarë me mjaft eksperiencë, që vendosin drejtësi së bashku me Anthony Taylor edhe në kampionatin anglez. Së fundmi, Anthony Taylor si arbitër kryesor, së bashku me Gary Beswick, Adam Nunn dhe Robert Jones gjykuan sfidën e parë çerekfinale në Champions League, PSG - Barcelona.

Taylor, Beswick dhe Nunn vendosën drejtësi edhe në sfidën e parë gjysmëfinalen në Champions League, Borussia Dortmund - PSG. Ndërsa kanë gjykuar së bashku edhe finalen e UEFA Europa League 2022/2023: Sevilla - Roma.

Gjithashtu Anthony Taylor, Gary Beswick dhe Adam Nunn janë përzgjedhur nga UEFA për të vendosur drejtësi edhe në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.

Në ndeshjen finale për titullin kampion Partizani - Egnatia, arbitri i katërt do të jetë Enea Jorgji, ndërsa gjyqtari në AVAR është Kreshnik Barjamaj.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll