Politike

“Rrugëkalimi i Shqipërisë drejt BE-së nuk ka përfunduar”/ Rama: Armiku ka ende forcë për të na plagosur e vrarë

Rama gjatë fjalës së tij deklaroi se në 10 vitet e fundit janë krijuar kushtet për ta kthyer tendencën në drejtimin e duhur.

7 Maj 2024, 10:36 Nga I.A
“Rrugëkalimi i Shqipërisë drejt BE-së nuk ka
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian nuk ka përfunduar ende. Duke folur në mbledhjen e jashtëzakonshme, Rama theksoi se armiku i tyre ka ende forcë për t'i plagosur ose për t'i vrarë. Rama gjatë fjalës së tij deklaroi se në 10 vitet e fundit janë krijuar kushtet për ta kthyer tendencën në drejtimin e duhur. Ndërkohë që ka shtuar se lufta e korrupsionit ka nisur siç duhet në vend.  

"Armiku ka ende forcë të konsiderueshme për të plagosur dhe për të vrarë. Nëse deri dje era ishte në favorin e armikut, sot është në favorin e shtetit që e ka rimarrë protagonizmin. Kjo është një luftë përgjatë gjithë vijës së frontit, nga një armik që e sfidon Shqipërinë. Në këto 10 vite kemi krijuar kushtet për ta kthyer tendencën në drejtimin e duhur. Për ta kthyer korrupsionin në breshkë. Korrupsioni është një sistem paralel, kancerogjen. Ai është një ofertë e paligjshme që lind bashkë me ligjin, për ta kthyer në anën e vet dhe ka ekzistuar në përmasa e forma të ndryshme, në çdo kohë dhe në çdo shtet.

Në komunizëm kishte shumë pula e raki për të mbyllur punë, ndërsa në shoqërinë demokratike korrupsioni lind normalisht, në boshllëkun e krijuar prej shembjes së shtetit të vjetër. Kohëzgjatja e përballjes së shtetit, si alternativë e shtetit varet nga si dhe sa, shtetbërja demokratike nxitet me reforma, zhvillohet me mekanizma institucional, shtretëzohet në nivelet e bashkëjeteses dhe shtrihet në të gjitha rrugët.

Rrugëkalimi i Shqipërisë drejt një shoqërie të hapur, pjesë përbërëse e BE, nuk ka përfunduar ende. Shqipëria pati një fatkeqësi të vetën, krahasuar me të tjera vende, nga mendësia otomane ‘më jep të jap’, kjo fatkeqësi ishte fakti që Shqipëria u vu gjatë nën presionin mbytës të një jetë të penguar nga fryma tribale e një segmenti politik që e mishëroi antikomunizmin të ngjizur si pjellë e bajraktarizmit dhe enverizmit. Lufta e korrupsionit ka nisur siç duhet," tha Rama. 

edi rama

Sondazh

Poll