Sport

Dani Alves ka shlyer borxhin prej 150.000 eurosh të dhëna nga babai i Neymar…

Avokatja e Dani Alves njoftoi të mërkurën se ish-ndërkombëtari brazilian, i dënuar për përdhunim në Spanjë, kishte rimbursuar shumën prej 150.000 eurosh të paguar nga babai i Neymar për mbrojtjen e tij.

11 Prill 2024, 19:51 Nga DOSJA

Dani Alves ka shlyer borxhin prej 150.000 eurosh të dhëna nga babai i

SPANJE - “Dani Alves ia ktheu 150.000 eurot Neymar (babait) një javë më parë”,- tha avokatja e tij Ines Guardiola, në një mesazh dërguar AFP-së, pa zbuluar arsyet e kësaj shlyerjeje.

Babai i yllit të kombëtares braziliane deklaroi në janar se kishte ndihmuar financiarisht ish-lojtarin e Barçës dhe PSG-së, i cili nuk ishte dënuar në atë kohë, gjest i cili kishte ngjallur kritika të shumta në Brazil.

Në mars, një muaj pasi ish-mbrojtësi ndërkombëtar u dënua me katër vjet e gjysmë burg për përdhunim, ai mohoi që djali, ose familja e tij, ishin të gatshëm të paguanin garancinë prej një milion eurosh, të vendosur nga gjykatat spanjole për lirim me kusht.

Ish-futbollisti 40-vjeçar u lirua më 25 mars nga burgu ku mbahej në paraburgim që nga fundi i janarit 2023, pasi kishte paguar garancinë prej një milion eurosh.

Ish-lojtari i Juventusit u shpall fajtor për përdhunimin e një gruaje në tualetet e një klubi nate të Barcelonës në fund të vitit 2022, pasi u kthye nga Kupa e Botës në Katar.

Gjykata e Barcelonës rrëzoi të mërkurën ankesat e prokurorisë dhe palës civile për lirimin e futbollistit. Alves do të qëndrojë lirë me kusht deri në përfundim të gjykimit të tij.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll