Sport

Xabi Alonso: “Pa transferimin te Liverpool, do të kisha kërkuar një punë si ekonomist”

Trajneri i Bayer Leverkusen tha se për një kohë të gjatë nuk e mendonte se do të kishte një karrierë profesionale në futboll.

10 Prill 2024, 20:30 Nga DOSJA

Xabi Alonso: “Pa transferimin te Liverpool, do të kisha kërkuar

GJERMANI - Xabi Alonso tha se për një kohë të gjatë nuk mendonte se do të kishte një karrierë profesionale në futboll. Ish-lojtari, tani trajner i Bayer Leverkusen, ka zbuluar në një intervistë për revistën e klubit gjerman 'Werkself' se në fillim të karrierës së tij, teksa luante për Real Sociedad, ai vazhdonte studimet në universitet për të pasur një alternativë të vlefshme për profesionistin e tij të ardhshëm. "Unë isha duke studiuar dhe, në të njëjtën kohë, shikoja se sa larg mund të shkoja në futboll," tha ai.

Ish-mesfushori spanjol zbuloi se ishte duke ndjekur një kurs ekonomik dhe, në prag të përfundimit të karrierës së tij akademike, i erdhi një ofertë nga Liverpooli, kur ai ishte 23 vjeç, gjë që e bëri atë të ndryshojë këndvështrimin e tij dhe të nisë përgjithmonë një karrierë në futboll, duke pranuar se nëse propozimi nuk do të kishte ardhur, ai do të kishte ndjekur një rrugë konvencionale, të ngjashme me atë të shumë kolegëve të tij.

“Më kishte mbetur vetëm një vit për të mbaruar studimet e ekonomisë. Pa transferimin në Liverpool, do të kisha ndjekur të njëjtën rrugë, si miqtë e mi dhe do të kërkoja një punë si ekonomist. Ky ishte plani, në rast se nuk do të kisha sukses në futboll dhe nuk kisha asnjë problem me këtë”, shpjegoi ai.

Vlen të kujtohet se Xabi Alonso u transferua te Liverpool në gusht të vitit 2004, për 16 milionë euro nga Real Sociedad, duke kaluar pesë sezone me ‘Reds’. Në Angli luajti 210 ndeshje dhe shënoi 19 gola, përpara se të transferohej te Real Madrid në vitin 2009.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll