Politike

"Bashkëpunimi mes institucioneve të dy vendeve", Mete takim me drejtues të lartë të Doganave italiane dhe Guardia di Finanza

Memorandumi do të jetë një instrument për forcimin e lidhjeve, shkëmbimin e informacionit dhe lehtësimin e dialogut ndërmjet Administratave Doganore të Italisë dhe Shqipërisë.

4 Prill 2024, 14:45 Nga M.B
"Bashkëpunimi mes institucioneve të dy vendeve", Mete takim
Foto nga takimi

TIRANA- Shqipëria dhe Italia firmosën marrëveshje për ngritjen e Komisionit të Përbashkët italo-shqiptar, për bashkëpunim mes Doganave Shqiptare, Doganave Italiane dhe Guardia di Finanza. Memorandumi do të jetë një instrument për forcimin e lidhjeve, shkëmbimin e informacionit dhe lehtësimin e dialogut ndërmjet Administratave Doganore të Italisë dhe Shqipërisë. Komisioni do të kryejë monitorimin e bashkëpunimit mes administratave doganore të dy vendeve dhe ndërmarrjen e nismave të përbashkëta në kuadër të përafrimit të procedurave dhe legjislacionit me standardet dhe kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian, thuhet në njoftimin e ministrisë së Financave.

Në kuadër të thellimit të këtij bashkëpunimi Ministri i Financave, Ervin Mete, priti sot në një takim Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Doganave dhe Monopoleve të Italisë, Roberto Alesse dhe Komandantin e Përgjithshëm të Guardia di Finanza, Andrea De Gennaro, në kuadër të një vizite zyrtare në Tiranë. Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i deritanishëm mes administratave doganore të dy vendeve dhe u theksua rëndësia e forcimit të mëtejshëm në të ardhmen.

Në mënyrë të veçantë, palët biseduan mbi lehtësimin e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, përputhjen e procedurave doganore me standardet e Bashkimit Europian, rritjen e mëtejshme të sigurisë ndërkufitare dhe  luftën kundër aktiviteteve të paligjshme.

shqiperia dhe italia

Sondazh

Poll