Sport

Hetohet skandali i Superkupës së Spanjës/ Ish-presidenti i federatës Luis Rubiales lirohet, në pritje të dalë para gjyqtarit…

Ish-presidenti thuhet se ka qëndruar i heshtur përpara se të lirohej, ndërsa pret të dilë në gjykatë

3 Prill 2024, 21:55 Nga DOSJA
Hetohet skandali i Superkupës së Spanjës/ Ish-presidenti i

SPANJE - Luis Rubiales do të duhet të dalë para një gjyqtari në lidhje me hetimin për zhvillimin e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite.

Pas kthimit në Spanjë nga një udhëtim pune në Republikën Domenikane, ish-presidenti i Federatës Iberike të Futbollit u mor në aeroportin ‘Adolfo Suarez’ të Madridit dhe u dërgua në ambientet e Guardia Civil të Barajas në Terminalin 4. 

Agjentët, sipas raporteve të ‘El Pai’, i morën shenjat e gishtave, i lexuan të drejtat para avokatëve të tij dhe i morën deklaratën. Sipas burimeve pranë hetimit, të cituara nga gazeta spanjole, ish-presidenti i Federatës së Futbollit ka heshtur përpara se të lirohej në pritje të paraqitjes në gjykatë.

Guardia Civil informoi gjyqtarin për arrestimin dhe lirimin e Rubiales, i cili dha dorëheqjen nga posti i tij si president i Federatës së Futbollit në shtator, pasi shkaktoi një skandal ndërkombëtar, duke puthur lojtaren Jenni Hermoso pa pëlqimin e saj gjatë finales së Kupës së botës femërore.

Rubiales: “Shumë gënjeshtra, nuk kam vjedhur para nga askush”

Pak para se të largohej nga Republika Domenikane, Luis Rubiales theu heshtjen duke lëshuar disa deklarata te ‘la Sexta’, duke mohuar akuzat ndaj tij. “Jam këtu për të thënë që është gënjeshtër se kam marrë apartamente këtu në Republikën Domenikane, është gënjeshtër që kam një ekip bejsbolli, është gjithashtu gënjeshtër që kam përvetësuar para,- tha ish-numri një i futbollit spanjol.

- Nuk e di se çfarë ka hetuar gjyqtari. Paratë në llogaritë e mia bankare nuk kanë asnjë lidhje me deklaratat në media,- shtoi ai. - Paratë e mia janë produkt i punës dhe kursimeve të mia”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll