Sport

VD/ Pas një Asambleje me më shumë se 20 mijë tifozë në stadium, Fenerbahçe vendos të qëndrojë në ligën turke... tani për tani

Asambleja e re e Përgjithshme pas tre muajsh nga tani

3 Prill 2024, 15:00 Nga DOSJA

VD/ Pas një Asambleje me më shumë se 20 mijë tifozë

TURQI - Një mal që polli një mi! Ajo që premtoi të ishte një ditë historike në futbollin turk dhe europian, përfundoi duke rezultuar në... asgjë.

Më shumë se 20.000 tifozë të Fenerbahçes u mblodhën në një Asamble të Përgjithshme të Jashtëzakonshme në stadiumin e klubit, ‘Sukru Sarakoglu’, për të votuar për largimin nga kampionati turk, por, pas një takimi që zgjati disa orë, presidenti i stemës së Stambollit njoftoi, se vendimi u shty për tre muaj nga tani, në një Asamble tjetër.


"Në të gjitha diskutimet tona, ai që do të preferonim më së paku ishte të hiqnim dorë nga liga turke. Ne do ta heqim atë opsion nga tavolina deri në Asamablenë që do të zhvillohet pas tre muajsh. Ka disa mendime këtu: Për sa kohë që mundësia për të qenë kampion vazhdon, do të vazhdojmë deri në fund të sezonit pa u dorëzuar.

Do të vlerësojmë situatën e tërheqjes nga liga sezonin e ardhshëm. Mendimi se nuk duhet të tërhiqemi nga kampionati është bërë shumë dominues”,- tha presidenti Ali Koç, i cili pranoi se nuk do të luajë në Superkupë, apo... të luajë me të rinjtë:

“Kemi dy mundësi: njëra është të mos garojmë fare në Superkupë dhe tjetra ta bëjmë me Juniorët. Në takimet tona vendosëm që nëse do të ecnim përpara me diçka radikale, kjo të fillonte në Superkupë”. Një “opsion i tretë” është mospjesëmarrja në Kupën e Turqisë: “Mendojmë se nuk duhet të garojmë në këtë kompeticion për të paktën dy sezone”.

Kujtojmë se ky synim për të braktisur kampionatin turk lindi pas sulmeve ndaj lojtarëve të Fenerbahçes (në fushë) në datën 17, në fund të ndeshjes me Trabzonspor.

Me më shumë se 22 mijë tifozë të pranishëm sot në stadium, synimi ishte që të votohej me duar në ajër, duke kërkuar një shumicë absolute për të zbatuar vendimin e largimit nga Superliga turke.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll