Sport

Shtypi spanjol zbulon se kush e ka paguar garancinë një milion euro për Dani Alves…

Ish-lojtarit iu desh të dorëzonte një milion euro në gjykatë për t'u liruar nga burgu me kusht

1 Prill 2024, 09:30 Nga DOSJA

Shtypi spanjol zbulon se kush e ka paguar garancinë një milion euro

SPANJE - Lirimi me kusht i Dani Alves nuk u pagua nga babai i Neymar dhe as nga një grup miqsh. Sipas shtypit spanjol, ka qenë revista e njohur braziliane ‘Quem’, e grupit ‘Globo’, e cila ka dhënë një milion euro të kërkuara nga gjykatat në këmbim të lirimit me kusht të Dani Alves.

Nga ana tjetër, siç sqarohet nga programi ‘Fiesta’, në kanalin ‘Telecinco’, në Spanjë, lojtari do të japë një intervistë për revistën, ku do të diskutojë për këtë moment të jetës së tij.

"Kjo revistë raporton për personazhe të mëdhenj. Në këmbim të reportazhit që po përgatitet ende, janë paguar një milion euro. Ishte një paradhënie për intervistën, një lloj dokumentari, që po bëjnë",- shpjegoi Marisa Martín Blázquez në programin e sipërpërmendur.

Dani Alves i ka ngrirë llogaritë bankare, pas një padie të ngritur nga ish-bashkëshortja e tij, duke kërkuar pagesën e alimentacionit për fëmijët e ish-çiftit.

Ish-lojtari, mbani mend, u dënua me katër vjet e gjysmë burg, pasi u akuzua për përdhunimin e një gruaje të re në një klub nate të Barcelonës më 31 dhjetor 2022.  Mbrojtësi brazilian megjithatë ishte në lirim me kusht pasi prokurori, mbrojtja e tij dhe e reja apeloi dënimin, për arsye të ndryshme.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll