Politike

"22 Marsi dita e parë e demokracisë", Berisha: Ajo fitore ishte në kushtet më të vështira se çdo fitore tjetër kundër diktaturave

Gjatë fjalës së tij Berisha uroi ditën e Sulltan Novruzit ndërsa shtoi se në këtë ditë është edhe një një ngjarje tjetër të veçantë në gjithë historinë e vendit ajo e demokracisë. 

22 Mars 2024, 20:06 Nga N.F
"22 Marsi dita e parë e demokracisë", Berisha: Ajo fitore
Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha edhe mbrëmjen e sotme ka mbajtur një fjalim para mbështëtësve të tij të cilët janë mbledhur poshtë pallatit. Gjatë fjalës së tij Berisha uroi ditën e Sulltan Novruzit ndërsa shtoi se në këtë ditë është edhe një një ngjarje tjetër të veçantë në gjithë historinë e vendit ajo e demokracisë. 

berisha u shpreh se shqiptarët nën udhëheqjen e PD-së me votën e tyre të lirë  arkivuan në kalendat e historisë regjimin e Enver Hoxhës. Ai më tej shtoi se 220 mijë familje shqiptare morën pothuajse falas apartamente dhe 460 mijë familje morën tokën. Berisha u shpreh se Shqipëria u anëtarsua në Këshillin e Europës, firmosi Partneritetin për Paqen me NATO-n dhe ajo u bë një prapavijë e fuqishme e pavarësisë së Kosovës.

Fjala e plotë:

Por ne ditën e Sulltan Novruzit, kemi dhe një ngjarje tjetër të veçantë në gjithë historinë tonë.
Kemi ditën e parë të demokracisë. Ditën e madhe me të cilën shqiptarët nën udhëheqjen e PD, me votën e tyre të lirë, arkivuan në kalendat e historisë, regjimin më të shëmtuar, më barbar, më mizor që ata kishin njohur në tërë historinë e tyre kombëtare, regjimin e Enver Hoxhës. Të dashur miq, është e vërtetë se fitorja e PD ishte në vazhdën e fitores së forcave antikomuniste në Europën Lindore pas rënies së Murit të Berlinit.

Por e vërteta është se ajo fitore ishte në kushtet më të jashtëzakonshme, më të mjerueshme, më të vështira se çdo fitore tjetër kundër diktaturave. Miqtë e mi, atë kohë, shqiptarët pasivisht kishin vuajtur nga uria. Shqiptarët kishin të ardhurat për frymë të tretët më të ulëta në botë. Më të ulëta se çdo komb në Europë. Se çdo komb në Azi. Se çdo komb në Amerikë. Më të ulëta se të gjitha kombet e Afrikës, përveç Ugandës dhe Angolës.


Në këto kushte e nisi PD qeverisjen e saj. 4 milionë dollarë rezerva valutore, 500 milionë borxhi i trashëguar. 80 përqind papunësia. Por arma e vetme e saj ishte liria. Ne besonim në liri, besonim në pasurinë e saj. Dhe duke vendosur qytetarin në epiqendër, Shqipërinë hiperkoletiviste e shndërruam në Shqipërinë e pronarëve. 220 mijë familje shqiptare morën pothuajse falas apartamentet. 460 mijë familje morën tokën. Qindra e mijëra objekte u privatizuan.


Të ardhurat mjerane, vetëm 240 dollarë për frymë vitin e parë, arritën në 800 dollarë për frymë në vitin 1996. Tashmë ishte sektori privat ai që mbizotëronte në ekonomi. Reformat e Shqipërisë, të bazuara të gjitha në liritë e individit, iniciativën e lirë, me shpejtësi ndryshuan gjendjen. Shqipëria u hap ndaj Europës dhe botës. U anëtarsua në Këshillin e Europës, firmosi Partneritetin për Paqen me NATO-n dhe ajo u bë një prapavijë e fuqishme e pavarësisë së Kosovës, e mbështetjes së shqiptarëve në Kosovë.

berisha pd

Sondazh

Poll