Bota

Kreu i Forcave të Armatosura gjermane kërkon mburojë raketore, frikë nga kërcënimet e mundshme ruse

Presidenti rus Vladimir Putin nuk i fsheh synimet e tij ndaj Perëndimit, tha gjenerali Breuer, duke shtuar megjithatë se një sulm ndaj një vendi perëndimor është aktualisht skenari më i keq.

22 Mars 2024, 13:02 Nga S.N
Kreu i Forcave të Armatosura gjermane kërkon mburojë raketore,
Carsten Breuer

GJERMANI- Kreu i Forcave të Armatosura të Gjermanisë Carsten Breuer, kërkoi zhvillimin e shpejtë të një mburoje raketore për Gjermaninë për t'u përballur me kërcënimet e mundshme nga Rusia .

“Kemi 5-8 vite kohë. Brenda kësaj periudhe ne duhet të instalojmë një sistem të mbrojtjes raketore, nuk ka alternativë”, tha gjenerali Breuer sot.

“Ne besojmë se Rusia do të jetë e aftë të bëjë luftë kundër vendeve të NATO-s brenda një periudhe prej pesë deri në tetë vite. Deri atëherë, edhe ne në Gjermani duhet të jemi në gjendje ta zmbrapsim një sulm të tillë”, theksoi ai.

Presidenti rus Vladimir Putin nuk i fsheh synimet e tij ndaj Perëndimit, tha gjenerali Breuer, duke shtuar megjithatë se një sulm ndaj një vendi perëndimor është aktualisht skenari më i keq.

“Ngrirja e një lufte kërkon që ajo të pranohet nga të dyja palët. Nuk ka një konflikt të ngrirë në botë që të mos jetë rindezur”, tha Breuer. "Situata aktuale ushtarake në Ukrainë bën që një ngrirje e luftës të mos duket as e mundshme dhe as e dëshirueshme," shtoi ai.

Qeveria gjermane ka krijuar një fond special prej 100 miliardë eurosh për të përmirësuar Bundesëehr-in, forcat e armatosura gjermane. Sipas gjeneralit Breuer, tashmë janë ndarë 80% e mjeteve dhe ndarja e tyre do të përfundojë deri në fund të vitit, por me vonesa të mundshme në prokurim.

“Shumica e pajisjeve është porositur, por ende nuk ka arritur te trupat në masën që do të doja”, tha Breuer, i cili i konsideron këto 100 miliardë euro si financim fillestar duke theksuar se duhet të stabilizojnë mbrojtjen. Buxheti i mbrojtjes duhet të mbetet në 2% të prodhimit ekonomik në terma afatgjatë, sipas tij.

gjermani rusi

Sondazh

Poll