Sport

Tirana “déjà vu” me Dinamon, fiton për herë të tretë 3-2! Dopieda e Qefalisë nuk mjafton

Fitorja e parë në pankinën e bardhebluve e trajnerit Fagut, i cili tani nis të besojë te “Final 4”, pasi Skënderbeu është vetëm 1 pikë larg.

17 Mars 2024, 21:00 Nga DOSJA
Tirana “déjà vu” me Dinamon, fiton për herë

TIRANE - Bardheblutë e kryeqytetit për here të tretë fitojnë 3-2 ndaj Dinamos gjatë këtij sezoni. Tirana vuan por arrin që të marrë maksimumin në derbin me Dinamon, duke fituar 3-2 në “Air Albania” në javën e 28-të të Superiores.

Skuadra e Erbim Fagut edhe pse e mbylli pjesën e parë në epërsinë e dy golave, u ndëshkua në pak minuta dy herë në pjesën e dytë nga “ish”-i tyre, Klevi Qefalija. Por skenari nuk kishte përfunduar, do të vinte një “perlë” e Fjoart Jonuzit, për të marrë fitoren 3-2, që i rikthen bardheblutë në rrugën e duhur drejt “Final 4”.

Ndeshja nisi mirë për badheblutë që arritën që të shënonin që në minutën e 7-të me anë të Nikqit, i cili arriti të devijonte saktë një top të harkuar nga e djathta. 11 minuta më vonë, Tirana fitoi të drejtën e një 11-metërshi të fituar nga Latifi, i cili u ndal në mënyrë të parregullt nga Qefalija. Nga pika e bardhë Liridon Latifi u tregua i saktë, duke dyfishuar rezulatin në 2-0.

Dinamo u zgjua dhe nisi të reagojë, por në pjesën e parë nuk arriti që të shënonte. Edhe fraksioni i dytë nisi më mirë për “nëndetësen blu”, të cilës iu desh të priste deri në minutën e 76-të për të shënuar, me Qefalinë, i cili u ndihmua dhe nga një devijim për të ngushtuar diferencën e golave në 2-1.

Shtatë minuta më vonë, Dinamo arriti që të barazojë shifrat në 2-2. Marku shërbeu për Qefalinë, i cili devijoi bukur drejt portës dhe realizoi sërisht. Në festë Dinamo që arriti të ngrejë krye e të rikuperojë dy gola.

Megjithatë, Tirana reflektoi dhe nisi të kërkonte më shumë e u desh një gol spektakolar i Fjoart Jonuzit për të marrë maksimumin dhe fiksuar fitoren 3-2. Ishte ky goli i parë në kampionat për kuksianin me fanelën e Tiranës, teksa i jep kënaqësinë e suksesit të pare në pankinën e bardhebluve trajnerit Fagut, i cili tani nis të besojë te “Final 4”, pasi Skënderbeu është vetëm 1 pikë larg.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll

Sport 17 Mars 2024, 11:30

Brazili humbet edhe Casemiron...

ANGLI - Brazili njoftoi tërheqjen e Casemiro, mesfushorit të Manchester United, për miqësoret kundër Anglisë d...