Sport

Kukësi ‘trondit’ Superioren, mund Vllazninë dhe shikon dritë në fund të tunelit!...

Kuksianët tani e shohin veten 2 pikë larg Erzenit dhe 6 më pak se Teuta dhe Laçi. Ata do të provojnë deri në fund për të shmangur rënien nga kategoria.

17 Mars 2024, 20:43 Nga DOSJA
Kukësi ‘trondit’ Superioren, mund Vllazninë dhe shikon

KUKES - Verilindorët ‘tronditin’ Superioren! Kukësi mposht Vllazninë, duke e mundur 2-0 në “Kukës Arena”. Skuadra e Bledar Devollit shënoi dy herë në pjesën e dytë dhe siguroi tri pikë të arta, që e afrojnë me zonën e shpëtimit, ndonëse mbetet në vendin e fundit.

Fillimi i lojës ishte më i mirë për Kukësin, që ishte më kërkues dhe ngacmoi më tepër në portën e shkodranëve, ndërkohë që kuqeblutë e morën veten afër fundit të pjesës së parë. Por pa arritur që të gjenin rrugën e rrjetës.

Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura. Fillimi i të dytës nisi me golin e Salamit, por nigeriani e kishte marrë topin me dorë. Dhe kryesori Xhaja e konsideroi të pavlefshëm golin, vendim që u konfirmua dhe nga VAR-i.

Megjithatë, insistimi i Kukësit u shpërblye në të 72′, teksa Nicolai Solodovnicov u tregua i saktë, pas një topi të kthyer nga portieri Mehidri. Ai godet saktë dhe 1-0.

Goli i parë për moldavin me fanelën e verilindorëve. Shtatë minuta më vonë, 23-vjeçari Solodovnicov, realizoi përsëri, pas një topi të marrë nga Salami dhe 2-0 për Kukësin, që deri në fund e menaxhoi mirë sfidën dhe mori maksimumin në këtë përballje.

Pas këtij rezultati, Vllaznia ndalet dhe humbet mundësinë për të marrë kreun e renditjes, teksa mbetet në vendin e dytë me 49 pikë, dy më pak se Egnatia e vendit të parë. Kuksianët shohin veten 2 pikë larg Erzenit dhe 6 më pak se Teuta dhe Laçi.

Verilindorët deri në fund do të provojnë për të shmangur rënien nga kategoria. Që pas emërimit të Bledar Devollit trajner, ekipi ka reaguar dhe tashmë ka optimizëm dhe entuziazëm për realizimin e objektivit.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll

Sport 17 Mars 2024, 11:30

Brazili humbet edhe Casemiron...

ANGLI - Brazili njoftoi tërheqjen e Casemiro, mesfushorit të Manchester United, për miqësoret kundër Anglisë d...