Sport

Europiani për vajza/ Shorti i 5 marsit dhe rivalet e mundshme të Shqipërisë...

Kombëtarja e vajzave të Shqipërisë ndodhet në vazon e parë të Ligës C, ku do të jenë edhe Bjellorusia, Greqia, Rumania dhe Sllovenia.

4 Mars 2024, 12:32 Nga DOSJA
Europiani për vajza/ Shorti i 5 marsit dhe rivalet e mundshme të

TIRANE - Shqipëria e vajzave do të njohë të martën e 5 marsit, kundërshtaret për kualifikueset e Europianit “Zvicër 2025”.

Në shortin që do të hidhet nesër në ora 13:00 në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, 51 skuadrat që do të marrin pjesë në këto kualifikuese do të jenë të ndara në tre Liga, A (16 skuadra), B (16 skuadra) dhe C (19 skuadra).

Kombëtarja e vajzave të Shqipërisë ndodhet në vazon e parë të Ligës C, ku do të jenë edhe Bjellorusia, Greqia, Rumania dhe Sllovenia.

Kundërshtaret e tjera të Ligës C, që priten të jenë edhe rivalet e mundshme të Shqipërisë në kualifikueset e Europianit “Zvicër 2025” janë të ndarë në tre vazo të tjera. Në vazon e dytë janë pesë skuadra: Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania dhe Mali i Zi.

Edhe në vazo e tretë ndodhen pesë skuadra: Andorra, Qipro, Kazakistani, Luksemburgu dhe Maqedonia e Veriut. Ndërsa në vazon e katërt janë vetëm katër ekipe: Armenia, Ishujt Faroe, Gjeorgjia dhe Moldavia.

Liga A dhe B që kanë nga 16-të skuadra do të ndahen në katër grupe me nga katër ekipe. Ndërsa Liga C, në të cilën bën pjesë dhe Shqipëria, do të ndahet në pesë grupe. Katër grupet e para me nga katër ekipe, ndërsa grupi i pestë do të jetë me vetëm tre skuadra.

Pesë vendet e para nga secili grup në Ligën C do të kalojnë në Ligën B edicionin e ardhshëm kualifikues. Një mundësi e mirë për të kaluar në Ligën B do të jetë edhe si vendi i dytë, pasi tre vendet më të mira të dyta në Ligën C do të përballen me tre skuadrat më të mira të renditura në vendet e treta në Ligën B. Fituesit në edicionin e ardhshëm kualifikues do të luajnë në Ligën B, ndërsa ekipet që do të humbasin në Ligën C.

Ndeshjet kualifikuese do të zhvillohen sipas sistemit vajtje-ardhje. Gjithçka do të nisë në muajin prill të këtij viti, ku Shqipëria e vajzave do të zhvillojë dy sfidat e para, më pas në fundin e muajit maj dhe në fillimin e qershorit do të luhen dy ndeshjet e tjera. Ndërsa në muajin korrik do të zhvillohen dy sfidat e fundit të grupit.

Kalendari i ndeshjeve:

Ndeshja 1 & 2: 3-9 prill 2024

Ndeshja 3 & 4: 29 maj - 4 qershor 2024

Ndeshja 5 & 6: 10-16 korrik 2024

Pas përfundimit të sfidave kualifikuese, do të nisë faza “play-off” që do të përcaktojë ekipet që do të kualifikohen për në Europianin “Zvicër 2025”. Tetë skuadrat më të mirë të Ligës A, katër vendet e para dhe të dyta të çdo grupi do të kualifikohen automatikisht për në “Euro 2025”.

B.T (Dosja.al)

 

Sondazh

Poll