Politike

Samiti për Ukrainën/ Shqipëria mungoi në samitin e parë, Zelensky as që e mban mend

Zelensky u shpreh se kjo është hera e dytë që ata takohen në një format të tillë, edhe pse Shqipëria nuk ka marrë pjesë asnjëherë në një samit për Ukrainën në Ballkan. 

28 Shkurt 2024, 14:30 Nga Izmir Akulli
Samiti për Ukrainën/ Shqipëria mungoi në samitin e
Samiti

Sot u mbajt në vendin tonë samiti për Ukrainën dhe Evropën Juglindore i iniciuar nga kryeministri Edi Rama si dhe me prezencën e Presidentit Volodymyr Zelensky në Tiranë. Kjo është hera e dytë që një samit i tillë mbahet në Ballkan, pasi i pari fillimisht u bë në Greqi vitin që lamë pas.

Këtë e theksoi dhe Zelensky gjatë fjalës së tij në samit, por ajo që u vu re është se Presidenti ukrainas as që nuk e dinte që Shqipëria nuk mori pjesë në atë samit. Zelensky u shpreh se kjo është hera e dytë që ata takohen në një format të tillë, edhe pse Shqipëria nuk ka marrë pjesë asnjëherë në një samit për Ukrainën në Ballkan. 

"Falenderoj Ramën për mbështetjen tuja personale dhe kombëtare. Është hera e dytë që takohemi në një format të tillë, i pari në Athinë. Vlerësoj mikpritjen dhe mundësinë për të diskutuar si mund të fuqizojmë të gjithë Europën," tha Zelensky.

Ndërkohë që në të vërtetë Shqipëria nuk ka marrë pjesë në samitin e mbajtur në Athinë në datën 22 gusht të vitit që lam pas. Kjo për shkak të marrëdhënieve të tensionuara mes Greqisë dhe Shqipërisë, për shkak të burgosjes së kryetarit të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri. 

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis pasi ftoi të gjithë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, nuk e ftoi Ramën për shkak të marrëdhënieve jo të mira, por zgjodhi të ftonte Presidentin Bajram Begaj. Begaj nga ana tjetër nuk shkoi në samit me pretekstin e një axhende të ngarkuar që kishte. 

Por e njëjta gjë ndodhi dhe në samitin e sotëm për Ukrainën në Shqipëri. Askush nga Greqia nuk mori pjesë, pasi kryeministri grek refuzoi ftesën për të ardhur. Po shkaku për mungesën e Mitsotakis janë marrëdhëniet e tensionuara për shkak të çështjes Beleri. Ndërkohë që si pretekst nga mediat greke u nxorr përvjetori i tragjedisë së përplasjes së trenave. 

Samiti për Ukrainën përfundoi me një deklaratë të përbashkët mes vendeve pjesëmarrëse ku tregonin bashkëpunimin e tyre, por në të vërtetë kjo ndodhë vetëm në letra, sepse përçarja mes vendeve të Ballkanit vazhdon të jetë më e fortë dhe më e pandreqshme se kurrë.

edi rama volodymyr zelensky

Sondazh

Poll