Sport

Çfarë kthesë e ngjarjeve! I dënuar me 4 vjet e 6 muaj për përdhunim, Dani Alves mund të lirohet vetëm pas pesë muajsh nga burgu…

Dani Alves mund të lirohet nga burgu në korrik 2024 sipas ligjeve spanjole. Ai ka të drejtë edhe të kërkojë ekstradim në Brazil…

23 Shkurt 2024, 18:59 Nga DOSJA
Çfarë kthesë e ngjarjeve! I dënuar me 4 vjet e 6 muaj

SPANJE - Gjykata katalanase e shpalli fajtor brazilianin për aktin e ndodhur më 30 dhjetor 2022, në klubin Sutton, në Barcelonë. Përveç kësaj, Alves do t'i paguajë viktimës së tij 150 mijë euro dëmshpërblim dhe do të kalojë 5 vjet nën mbikëqyrje pas vuajtjes së dënimit.

Avokatja e ish-lojtarit, Ines Guardiola, ka bërë të ditur tashmë se do të apelojë. Megjithatë, edhe nëse dënimi mbahet në fuqi, Dani Alves mund të jetë jashtë burgut pesë muaj nga tani. Më saktësisht, më 20 korrik 2024 !

Braziliani është i burgosur që prej 20 janarit 2023, që do të thotë se ai tashmë ka vuajtur një vit, një muaj e tre ditë të dënimit. Pasi të jetë kryer një e treta e dënimit të tij, Dani Alves mund të aplikojë për lirim me kusht, sipas ligjit spanjol. 

Sipas “Marca”, një botim që u konsultua me një firmë ligjore në Valencia, Alves, duke filluar nga  maji 2024, mund të merrte leje të dilte nga burgu gjatë ditës dhe të flinte vetëm në burg. Nëse ai shfaq sjellje shembullore, angazhohet në aktivitete të përditshme dhe paguan dëmshpërblim për viktimën, braziliani mund të lirohet në korrik 2024.

Dani Alves ka të drejtë të kërkojë ekstradim në Brazil

Gjithashtu, sipas të njëjtit burim, ekziston edhe mundësia që Dani Alves të ekstradohet në Brazil. “Nëse bëhet fjalë për një dënim më pak se 5 vjet, ai mund të ekstradohet dhe ta kryejë dënimin jashtë Spanjës”,- thotë avokati Agustín Martínez.

Dani Alves u përpoq, para gjyqit, të hiqte qafe akuzat. Ai i ofroi 150 mijë euro viktimës së tij, në këmbim të heqjes së ankesave. Gruaja refuzoi propozimin dhe vazhdoi veprimet ligjore.

Gjyqtarët përcaktuan se kishte prova të mjaftueshme për të dënuar brazilianin. Viktimës i janë konstatuar edhe dëmtime në gju, të shkaktuara nga dhuna e futbollistit. Gjithashtu, gruaja ka mbetur me pasoja pas asaj nate, tregon gjykata e Barcelonës.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll