Politike

Censurimi i Kurtit nga mediat serbe/ Berisha: Rama dhe Vuçiç siamez në censurë, diktatorët kanë tmerr nga fjala e lirë

Berisha shkruan se Rama dhe Vuçiç janë dy siamez në censurë. Ky reagim i Berishës ka ardhur pasi mediat në Serbi kanë censuruar fjalën e Kurtit gjatë seancës së djeshmë në OKB.

9 Shkurt 2024, 11:38 Nga N.F
Censurimi i Kurtit nga mediat serbe/ Berisha: Rama dhe Vuçiç
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha përmes një shkrimi në llogarinë e tij në "Facebook" ka reaguar në lidhje me përplasjet në OKB mes Kurtit dhe Vuciçit për çështjen e dinarit. Berisha shkruan se Rama dhe Vuçiç janë dy siamez në censurë. Ky reagim i Berishës ka ardhur pasi mediat në Serbi kanë censuruar fjalën e Kurtit gjatë seancës së djeshmë në OKB. Berisha këtë situatë e ka krahasuar edhe me vendin tonë ku sipas tij bëhet censurë mediatike me urdhër të Ramës.

"Në shembullin e Ramës, dje padroni i tij Vuçiç si siamez në censurë urdhëroi censurimin e plotë të fjalës së Kryeministrit Kurti në Këshillin e Sigurimit të OKB. Diktatorët kanë tmerr nga fjala e lirë," shkruan Berisha.

Postimi i plotë:

Rama dhe Vuçiç siamez në censurë! Të dashur miq, prej kohësh Edi Rama i tmerruar nga mesazhet e qendrestarëve të pamposhtur, oratorëve të Rrugës së “Shpresës”, ka urdhëruar mediat e mëdha që kontrollon të vendosin censurë të plotë ndaj parlamentit të fjalës së lirë, fjalimeve të njerëzve të lirë dhe fjalimeve të mija të përnatshme në Rrugën e “Shpresës”. Detyrën e kontrollit të zbatimit të këtij urdhri thuhet se ua ka besuar ndrikullave të censurës, Imeri dhe Meta në krye të AMA-s si zëdhënës të Rama- Brava. Në shembullin e Ramës, dje padroni i tij Vuçiç si siamez në censurë urdhëroi censurimin e plotë të fjalës së Kryeministrit Kurti në Këshillin e Sigurimit të OKB. Diktatorët kanë tmerr nga fjala e lirë.

Lexoni artikullin e mëposhtëm. Në Serbi u ndal transmetimi direkt kur Kurti nisi fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit
Mbrëmë në New York për herë të parë në kuadër të Këshillit të Sigurimi pati një përballje Kurti-Vuçiç. Mbledhja e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), e thirrur nga Serbia lidhur me ndalimin e qarkullimit të dinarit serb në Kosovë, u transmetua drejtëpërdrejt në Kosovë, teksa në Serbi pati censurim të saj. Kjo pasi transmetimi i drejtpërdrejtë atje u ndërpre në momentin kur kryeministri Kurti e mori fjalën.
Për këtë ka reaguar edhe Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi.

Në Serbi, e kanë ndalur transmetimin atëherë kur ka nisur fjalën e tij kryeministri Kurti. Kaq për lirinë e mediave e të informimit në Serbi. Censurë. Për të ardhur keq, që serbët atje nuk kanë mundësi të dëgjojnë mbi realitetin e të vërtetat. Vuçiç është në panik dhe frikë të madhe, përballë Republikës së Kosovës, një shteti progresist e demokratik

berisha rama kurti vuçiç okb censure

Sondazh

Poll