Sport

Egnatia bën “të fortin”… fiton me përmbysje ndaj Erzenit dhe +10 nga Partizani në krye

Rrogozhinasit triumfuan me përmbysje 3-2 ndaj Erzenit, në sfidën e vlefshme për javën e 21-të të Kategorisë Superiore, në një ndeshje mjaft të luftuar dhe me shumë emocione.

29 Janar 2024, 20:35 Nga DOSJA

Egnatia bën “të fortin”… fiton me përmbysje

RROGOZHINE - Në “Arena Egnatia”, rrogozhinasit, treguan në javën e 21-të të Abissnet Superiores se janë skuadra që duhet mundur. Pas 90 minutash ata e ngrinë buzëqeshjen dhe shijakasve, të cilët menduan se mund të largoheshin me pikë.

Shijakasit kaluan të parët në avantazh në minutën e 5-të me anë të marokenit Marzouk, që përfitoi në maksimum nga një gabim në mbrojtjen vendase. Një gol i shpejtë që vendosi në lëvizje mekanizmat e të dyja skuadrave, por pavarësisht dëshirës dhe rasteve, pjesa e parë nuk prodhoi më gola dhe u mbyll 1-0 për Erzenin.

Pjesa e dytë dhuroi një tjetër ritëm, me Egnatian që kërkoi me ngulm golin e barazimit dhe diçka të tillë e bëri realitet Spahiu (59’) me një goditje perfekte nga jashtë zone, që në fund nuk u grushtua siç duhet edhe nga portieri Puja.

Pas këtij moment, rrogozhinasit diktuan ritmin dhe i shkuan pranë përmbysjes, por pikërisht, në momentin më të mirë të vendasve, shijakasit u rikthyen sërish në avantazh me anë të Zekës, që shënoi një gol shumë të bukur në minutën e 74-të.

Por, avantazhi i Erzenit zgjati vetëm dy minuta, pasi Montenegro risolli barazpeshën dhe në minutën e 80-të, Ibrahimoglu përmbysi gjithçka duke çuar në delir vendasit.

3-2 dhe deri në fund asgjë nuk ndryshoi, me Egnatian që merr kështu një fitore të çmuar duke shkuar në kuotën e 46 pikëve, dhjetë më shumë se vendi i dytë, Partizani, teksa në krahun tjetër, Erzeni mbetet me 22 pikë pranë zonës së mbijetesës.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll