Sport

Mourinho i ka dhënë përgjigje Al-Shabab…

Jose Mourinho (60) është shkarkuar nga AS Roma, por mund të kthehet në futboll së shpejti.

22 Janar 2024, 20:37 Nga DOSJA
Mourinho i ka dhënë përgjigje Al-Shabab…

ITALI - Pas rezultateve modeste në Serie A dhe eliminimit nga Kupa e Italisë, pas rezultatit 1-0 me rivalët Lazios, Mourinho u shkarkua nga AS Roma, por është shumë pranë rikthimit te kampionët e Italisë.

Ekipi i parë që ofroi "The Special One" ishte Al-Shabab, skuadra nga Arabia Saudite, e cila do ta joshte atë me një rrogë përrallore. 

Edhe pse shumë yje të futbollit botëror zgjodhën të transferohen në Arabinë Saudite vitin e fundit, ku emrat më të njohur ishin Cristiano Ronaldo, Karim Benzema apo N'Golo Kante, Mourinho vendosi të refuzojë ofertën e sauditëve, shkruan “GOAL.com”.

Arsyeja? Jose Mourinho dëshiron të qëndrojë në Evropë dhe do të kishte hapur tashmë negociatat me ata të Napolit, pasi në ditët në vijim do të ketë një takim me presidentin Aurelio De Laurentiis.

Kampion në sezonin e kaluar pas 33 vitesh, Napoli këtë sezon është vetëm në vendin e nëntë në Serinë A, me 31 pikë, 20 pikë larg Inter që kryeson dhe tre pikë larg vendeve që sigurojnë prezencën në UEFA Champions League.

Gjatë dy viteve e gjysmë te AS Roma, Jose Mourinho drejtoi 138 ndeshje, duke arritur të fitojë 68 prej tyre, 30 përfunduan në barazim dhe 40 ishin humbje.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll