Sport

Barcelona zbuloi Puyolin e ri… 17-vjeçari hyri direkt si titullar në skuadrën e Xavit

FC Barcelona mposhti mbrëmë Betis me rezultatin 4-2 në ndeshjen e javës së 21-të të La Ligës. Barcelona kryesoi 2-0 dhe u barazua, kurse Ferran Torres shënoi tre herë.

22 Janar 2024, 19:57 Nga DOSJA
Barcelona zbuloi Puyolin e ri… 17-vjeçari hyri direkt si titullar
Qendërmbrojtësi i ri Pau Cubarsi i Barcelonës, sot mbushi 17 vjeç

SPANJE - Ferran Torres ishte lojtari i ndeshjes në stadiumin “Benito Villamarin”. Ai hapi rezultatin në minutën e 21-të dhe e rriti atë në minutën e 48-të, kur Barcelona kalonte në epërsi 2-0.  Nikoqirët barazuan në vetëm tre minuta, me dopienën e Iscos, në minutat 56 dhe 59.

Por katalanasit e deshën fitoren dhe e arritën. Në minutën e 90-të kaloi në epërsi me Joao Felix-it, i cili i dha epërsinë ekipit mysafir, ndërkohë që Torres arriti të shënojë për herë të tretë, duke fiksuar rezultatin përfundimtar 2-4 në minutën e 90-të. Në renditje, FC Barcelona është në vendin e 3-të me 44 pikë dhe Betis në vendin e 9-të me 31 pikë.

Me mungesën e Christensen dhe Inigo Martinez, Xavi duhej të mbështetej te qendërmbrojtësi Pau Cubarsi, i cili mbushi vetëm 17 vjeç sot, duke patur partner Ronald Araujo në qendër të mbrojtjes. Në të njëjtën ndeshje, ishte edhe 16-vjeçari Lamine Yamal që e nisi ndeshjen në sulm, me Raphinha të lënduar.

Xavi pretendon se mungesa e levave financiare të Barçës për të sjellë lojtarë është arsyeja pse klubi ka më shumë besim te lojtarët e tij të rinj se kurrë.

“Ne duhet të mbështetemi te këta lojtarë të rinj për shkak të situatës financiare të klubit”,- tha Xavi pas ndeshjes së Betisit. “Ne nuk mund të nënshkruajmë me askënd. Por ne kemi Balde, Gavi, Cubarsi, Lamine, Casado... Mendoj se janë të gjithë gati. Cubarsi? Ai është një lojtar i stërvitur, nuk duket sikur është 16 vjeç, është shumë i fokusuar, i përgjegjshëm dhe ka një personalitet të fortë. Nuk mendoj se ka humbur ndonjë top, mendoj se do të shënojë epokën e tij, si Lamine në moshën 16-vjeçare. Ne vazhdojmë të ndërtojmë, kur flasim me ta kuptojmë pjekurinë e tyre, ata janë e tashmja dhe e ardhmja e klubit”,- shtoi tekniku katalanas.

Numrat e Cubarsit, mbrojtës 1.82 metra, në debutimin e tij ishin të shkëlqyer. Fëmija është produkt i Gironas, por gjashtë vjet më parë ai erdhi në Barcelonë dhe kaloi fazat e promovimit, duke kaluar te Barcelona B. Vitin e kaluar, në prill, Xavi e thirri atë në ekipin e parë pasi luajti në Ligën e të rinjve të UEFA-s. Vetëm në verë Cubarsi nënshkroi kontratën e tij të parë profesionale.

Katalanasit pretendojnë se Cubarsi mund të jetë Puyol i ri, me Araujo të përmendur tashmë si zëvendësues i Pique. Të dy shihen si një çift i mundshëm për mbrojtjen e Barçës në vitet e ardhshme.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll