Politike

Osmani takim me Hasanin: Kosova ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare

Osmani ka theksuar se Kosova ka nevojë edhe më tej për mbështetjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, sidomos në organizatat në të cilat nuk është e përfaqësuar.

16 Janar 2024, 12:57 Nga M.B
Osmani takim me Hasanin: Kosova ka nevojë për mbështetjen e
Igli Hasani dhe Vjosa Osmani

KOSOVA- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasanin, ku së bashku biseduan rreth zhvillimeve të fundit politike dhe të sigurisë, por edhe rreth nevoja për koordinimin e vazhdueshëm ndërshtetëror në politikën e jashtme.

Presidentja ka theksuar se Kosova ka nevojë edhe më tej për mbështetjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, sidomos në organizatat në të cilat nuk është e përfaqësuar.

“Përtej lidhjes historike e partneritetit strategjik, Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë synime të përbashkëta dhe strategji të harmonizuara në interes të dy shteteve”, mësohet të ketë thënë Osmani.

Po ashtu ajo ka thënë se forcimi i shtetit të Kosovës dhe konsolidimi i pozicionit ndërkombëtar është synim i vazhdueshëm, i cili ka nevojë edhe për mbështetjen e Shqipërisë.

“Pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare ka nevojë për kontribut të vazhdueshëm të politikës së jashtme të Shqipërisë”, është Osmani duke theksuar se për Kosovën, Shqipëria është jo vetëm një partner strategjik, por edhe shtet me të cilin ka lidhje vëllazërore, kulturore e kombëtare.

Gjithashtu në takim u diskutua edhe për koordinimin për çështjen e njohjeve të reja, përfshirjen në Partneritetin për Paqe si një hap paraprirës i anëtarësimit në NATO, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Sipas Osmanit, zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës dhe veprimet armiqësore të Serbisë dhe lidershipit të saj kërkojnë angazhim dhe vëmendje të shtuar të faktorit ndërkombëtar por edhe të vendeve të rajonit në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit.

vjosa osmani kosova shqiperia igli hasani

Sondazh

Poll