Aktualitet

Vetëvrasja e nënës së 4 fëmijëve në Durrës, Avokatja e Popullit: Alarm i fortë për nevojën e një ndërhyrjeje të menjëhershme

Për mes një postimi në "Facebook" Ballancaka ka bërë thirrje për të gjithë komunitetet e platformave të mediave sociale duke u kërkuar që të ndërtojnë një mjedis mbrojtës

6 Janar 2024, 13:18 Nga N.F
Vetëvrasja e nënës së 4 fëmijëve në
Foto ilustruese

TIRANË- Pas ngjarjes së rëndë të regjistruar ditën e djeshme në Durrës ku humbi jetën 41-vjeçarja, Bedrie Loka ka ardhur edhe reagimi i Avokates se Popullit, znj. Erinda Ballanca. Për mes një postimi në "Facebook" Ballancaka ka bërë thirrje për të gjithë komunitetet e platformave të mediave sociale duke u kërkuar që të ndërtojnë një mjedis mbrojtës. Më tej në reagim thuhet se “mirëkuptimi shoqëror” duhet të jetë më shumë se një frazë dhe se duhet të jetë një parim që përcakton sjelljet në përditshmëri.

"Refuzimi i bullizmit dhe i të gjitha formave të tij duhet të jetë në thelbin e vlerave tona dhe reagimi shoqëror ndaj kësaj tragjedie duhet të jetë më shumë se një reagim sipërfaqësor; duhet të jetë një angazhim i përhershëm për të krijuar një mjedis dashamirës," thuhet në reagim.

Reagimi i plotë:

Ngjarja e rëndë e vetëvrasjes së një gruaje në Shqipëri, si pasojë e fyerjes dhe denigrimit personal në një platformë sociale, ishte thellësisht tronditëse dhe duhet të shërbejë si një alarm i fortë për nevojën e një ndërhyrjeje të menjëhershme.
Pranimi i një realiteti ku të gjithë kemi ndjeshmëri dhe vulnerabilitet është thelbi i një komuniteti të shëndetshëm, e kundërta është bullizëm! Refuzimi i bullizmit dhe i të gjitha formave të tij duhet të jetë në thelbin e vlerave tona dhe reagimi shoqëror ndaj kësaj tragjedie duhet të jetë më shumë se një reagim sipërfaqësor; duhet të jetë një angazhim i përhershëm për të krijuar një mjedis dashamirës.

Në një kohë kur teknologjia është pjesë e pandarë e jetës tonë, duhet të mbajmë në vëmendje thelbin e humanizmit dhe respektit reciprok. Fyerjet dhe bullizmi nuk mund të tolerohen! “Mirëkuptimi shoqëror” duhet të jetë më shumë se një frazë; duhet të jetë një parim që përcakton sjelljet tona në përditshmëri. Avokati i Popullit bën një thirrje të dedikur për të gjithë komunitetin e platformave të mediave sociale, për të ndërtuar një mjedis mbrojtës dhe të shfaqi kujdes për mirëqenien emocionale të të gjithë qytetarëve.

Bedrie Loka nga fshati Vardardhë i Sukthit, nënë e 4 fëmijëve i ka dhënë fund jetës, pas denigrimit në rrjetet sociale. Në emër të saj u hapën profile, kryesisht në Tik-Tok, që denigronin figurën e saj si grua, me etiketime si e pamoralshme. 41-vjeçarja nuk i ka rezistuar presionit shoqëror në një komunitet të vogël dhe më pas edhe në familje. Në kushte të rënduara psikologjike ka pirë fostoksinë, tri ditë më parë, më 2 janar. Familjarët e kanë çuar me urgjencë në spital në Tiranë, por gruaja ndërroi jetë. Nëna e 4 fëmijëve, 3 djemve dhe 1 vajze, përkatësisht 21 vjeç,18 vjeç,16 vjeç dhe 10 vjeç, punonte në një fabrikë fasonerie në zonën e Fllakës.

durres vetevrasje bedrie loka avokati i popullit

Sondazh

Poll