Politike

Berisha: Edi Rama që kur është bërë kryeministër, i janë shtuar pasuritë e deklaruara 16 herë

Në një mbledhje me simpatizantët në Gjirokastër, Berisha tha se 10 vitet e fundit kanë qenë vitet e gjenocidit më të egër që shqiptarët kanë përjetuar në të gjithë shekujt. 

16 Dhjetor 2023, 17:44 Nga a.l
Berisha: Edi Rama që kur është bërë kryeministër,
Sali Berisha

GJIROKASTËR- Kryetari i PD-së, Sali Berisha akuzon kryeministrin Rama se po zëvendësojë popullin shqiptar me bangladeshas dhe indianë. Në një mbledhje me simpatizantët në Gjirokastër, Berisha tha se 10 vitet e fundit kanë qenë vitet e gjenocidit më të egër që shqiptarët kanë përjetuar në të gjithë shekujt. 

"Kjo është një periudhë kthese vendimtare për demokracinë dhe për kombin. Çdo shqiptar që ndjen minimumit të minimumit të dashurisë për këtë komb dhe për këtë vend, duhet ta dijë se këto 10 vite kanë qenë vitet e gjenocidit më të egër që shqiptarët kanë përjetuar në të gjithë shekujt. Kurrë ndonjëherë, një komb nuk numëron 35 përqind të banorëve të larguar nga vendi për shkak të kushteve për shpopullim që krijon regjimi. Lufta e Dytë Botërore, në vendin që e përjetoi në mënyrën më dramatike atë, Poloninë, e pakësoi atë komb me 20 përqind. As Siria në luftë civile nuk është pakësuar as gjysmën tonë. Dhe sot, Edi Rama shpërndan tezën se po shkojmë për eksplorime, se le të ikin se do i zëvendësojmë me bangladeshas, me indianë. Ne nuk mund të pajtohemi kurrë me këtë. Kjo është një superemergjencë kombëtare. Ne u themeluam si parti e interesit kombëtar. Po pse u themeluam si parti e interesit kombëtar. U themeluam se nuk ka një parti të një kombi të qytetëruar, që nuk e shpall interesin kombëtar si interesin kryesor të saj. Kudo që ndodhet, një parti e lirive të shqiptarëve, ka për nord interesin kombëtar. Dhe ku është interesi kombëtar i shqiptarëve sot? Është në duart e atij që bota e quan, Pashiqi i shqiptarëve. Më tutje nuk shkojmë. Shkojmë dhe do shkojmë drejt përballjes me të, gjer në largimin e tij. Ky është një moment kthese drejt fitores. Ai mbeti në pushtet se ne nuk qemë të zotë. Ju derdhët lumenj djerse, ju i mbrojtët idealet tuaja. Ju garantoj se me datën 25 prill, po të mos tradhtoheshit, do ishin fitimtarë të merituar. Por ai, në një akt primitiv, hyri në pazare me kreun e opozitës. Po në këtë mënyrë, ku jemi sot? Cili vend jemi ne? Sot ne jemi vendi në cilësinë, në sistem republikë parlamentare, por në fakt jo. Në fakt parlamenti pluralist nuk ekziston më, sepse ky narkodiktator, kjo diktaturë bande, pas rrëmbimit të votës, kaloi në masën tjetër ekstreme, mohimin e të gjitha të drejtave themelore kushtetuese të deputetëve tuaj në parlament. Kemi kohë që aty ne jemi figurina, jemi thjesht një fasadë. E them këtë sepse në emër tuaj, ne hartonim ligje. Ligjet tona ndryheshin në sirtar, në kundërshtim me ligjin, me Kushtetutën", tha ai. 

sali berisha

Sondazh

Poll