Politike

SPAK i kërkoi Kuvendit autorizim për arrestimin e tij, Berisha: Kërkon të barazojë Shqipërinë me Rusinë

Teksa ishte i ftuar ditën e sotme në 'A2cnn', ai tha se kjo është dëshmi e një narkoregjimi.

12 Dhjetor 2023, 19:27 Nga A.B
SPAK i kërkoi Kuvendit autorizim për arrestimin e tij, Berisha:
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha e akuzoi SPAK-un se kërkon të barazojë Shqipërinë me Rusinë e Putinit që ka liderin e opozitës të dënuar apo me juntën e Mianmarit. Teksa ishte i ftuar ditën e sotme në 'A2cnn', ai tha se kjo është dëshmi e një narkoregjimi.

“SPAK, një vegël e verbër në duart e partisë shtet, Edi Ramës. Zbatoi urdhrin dhe në këtë kontekst nuk ka asgjë të re. Prokuroria politike kërkon autorizim për të arrestuar liderin e opozitës, kërkon autorizim për të barazuar Shqipërinë me Rusinë e Putinit që ka liderin opozitar të dënuar, me juntën e Mianmar, Lukashenkon dhe Ugandën. Kjo është dëshmi e asaj që kemi denoncuar çdo ditë e diktature bandë e një narkoregjimi të vendosur në Shqipëri”.

I pyetur pse nuk u paraqit në SPAK, në mënyrë që të shmangte këtë ashpërsim mase sigurie, Berisha theksoi se mbrojti kushtetutën.

“Kjo tregon karakterin thellësisht politik se prokuroria nuk kërkon masë për ato që më akuzon, por masë për vendimin antikushtetues ndaj meje. Prokurorë e gjykatës që denoncova në zyrën e tyre shkruan kushtetutën dhe morën pushtetin e parlamentit. Unë bëra gjënë më të mirë mbrojta kushtetutën e vendit tim”.

Ai u shpreh i gatshëm që të hetohet, por në këtë rast çështja ishte hapur pa individ.

“Unë kam dërguar në parlament për abrogimin e çdo lloj imuniteti për deputetët dhe Rama e refuzoi në mënyrë kategorike, por pranoi që t’i hapim rrugë organeve të drjetësië të hetojnë për deputetët sa herë më kanë pyetur a je i gatshëm të hetoshesh, sa herë jam i gatshëm kam thënë. Një çështje e hapur prej 3 vitesh mbi bazë e një kallëzimi të rremë. Sali Berisha shpallet person në hetim pa u pyetur ansjëherë dhe me t’u shpallur ndaj tij merret masa e heqjes së lirisë për daljen jashtë shtetit”.

Berisha i referohet kushtetutës që askujt nuk i mohohet e drejta për të dalë jashtë shtetit.

”Po kushtetuta ka një nen 38 që e garanton këtë në grupin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Ky nen siguron qytetarët që e drejta doli. Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit. Ky nene lirinë e daljes jashtë shtetit e konsideron pjesë thelbësore të lirisë së njeriut. Deputeti nuk mund të arrestohet ose ti hiqet liria ndaj çfarëdo lloj forme, askush nuk mund të pengohet të dalë jashtë shtetit është liri personale kurse në rastin e deputeti kjo liri nuk mund të hiqet”.

sali berisha

Sondazh

Poll