Bota

DW: Rritet censura për lirinë e shtypit në Turqi

Ligji që ndalon shpërndarjen e informacionit mashtrues i shtuar në Kodin Penal të Turqisë ka lehtësuar hetimet, ndjekjet penale dhe arrestimet e gazetarëve në atë masë sa ligji njihet tani si ligji i censurës.

4 Dhjetor 2023, 22:09 Nga A.TH
DW: Rritet censura për lirinë e shtypit në Turqi
Foto Ilustruese

TURQI- Gazetaria po kalon ditë të vështira në Turqi. Brenda dy muajsh kanë dalë para gjykatës turke 144 gazetarë. Sipas një raporti të Deutsche Welle, katër muaj deri në zgjedhjet vendimtare komunale dhe Ankaraja po pengon në çdo mënyrë qarkullimin e lirë të opinioneve dhe informacioneve, kryesisht të opozitës nga media turke.

Shokuese janë shifrat e raportit për lirinë e shtypit të deputetit të Partisë Popullore Republikane (CHP), Utku Çakirozer. Vetëm në dy muajt e fundit, tetor dhe nëntor, 144 herë gazetarë kanë dalë para gjykatave turke. Ligji që ndalon shpërndarjen e informacionit mashtrues i shtuar në Kodin Penal të Turqisë ka lehtësuar hetimet, ndjekjet penale dhe arrestimet e gazetarëve në atë masë sa ligji njihet tani si ligji i censurës. Çdo informacion, lajm, raportim që do të dëmtonte imazhin e qeverisë, nga postimet për ryshfet e zyrtarëve të qeverisë e deri te thjesht pjesëmarrja në demonstrata antiqeveritare të çdo lloji, mund të sjellë para drejtësisë gazetarët turq.

Edhe pse përndjekja ndaj gazetarëve është intensifikuar kohët e fundit, problemi është pothuajse endemik. Sipas një sondazhi të botuar korrikun e kaluar nga Sindikata e Gazetarëve Turk (TGS), të titulluar "Gazetaria në Turqi: Anketa e Perceptimit dhe Profilit", 42.8% e gazetarëve thanë se i ishin nënshtruar censurës për arsye politike ose marrëdhënie me punëdhënësin, ndërsa 25 % pretendojnë se shpesh vetëcensurojnë lajmet e tyre për arsye politike ose biznesi. Censura zakonisht merr formën e mospublikimit, heqjes ose ndryshimit të lajmeve. Shkalla e censurës është më e lartë tek gazetaret femra dhe gazetaret nën moshën 35 vjeç krahasuar me grupet e tjera.

dw

Sondazh

Poll