Sport

Xavi propozon kalendarin e ri të garave: “Mendoj se FIFA tashmë po e studion atë”

Trajneri i Barcelonës kritikon ndërprerjen e garave për klubet për të zhvilluar ndeshjet e kombëtares

25 Nëntor 2023, 09:40 Nga DOSJA

Xavi propozon kalendarin e ri të garave: “Mendoj se FIFA tashmë

SPANJE - Xavi Hernández, trajneri i Barcelonës, paraqiti këtë të premte një propozim për një kalendar të ri konkurrues, për të shmangur situatën "shumë kërkuese" aktualisht në fuqi. Ndërprerja e garave të klubeve, për të zhvilluar ndeshjet e kombëtares dhe tejkalimi i udhëtimeve janë të lidhur me të.

"Një mundësi dhe unë mendoj se FIFA tashmë po e studion atë, është që lojtarët të kalojnë nëntë muaj në klube dhe më pas të shkojnë në ekipet kombëtare. Nuk është e lehtë të udhëtosh kaq shumë herë në muaj.

Araújo (Uruguay) dhe Raphinha (Brazil) vijnë nga udhëtime 13 ose 14 orëshe, mezi kanë fjetur apo stërvitur. Dhe kështu janë të gjitha skuadrat. Çdo muaj, muaj e gjysmë, ata udhëtojnë në Amerikën e Jugut, ose në Afrikë. Kështu do të kursehej koha në udhëtim: nëntë muaj me klubin, dy me kombëtaren, një me pushime”, tha ai.

Kujtojmë se ky sugjerim i trajnerit 43-vjeçar vjen disa ditë pas pushimit të fundit për angazhimet në kombëtare, i cili u shënua edhe nga disa dëmtime të futbollistëve, mes të cilëve edhe ai i Gavi-t, mesfushorit të Barcelonës, i cili pritet të mungojë te “Blaugranas”, ndërmjet 6 dhe 8 muajsh, pasi pësoi një këputje të plotë të ligamentit të kryqëzuar anterior në gjurin e tij të djathtë, si dhe një dëmtim shoqërues të meniskut, në ndeshjen Spanjë-Gjeorgji.

I pyetur nëse ka pasur ndonjë polemikë me trajnerin e kombëtares spanjole De La Fuente për shkak të dëmtimit të mesfushorit të ri, Xavi ishte i qartë: "Nuk ka polemika. Unë nuk shoh problem me menaxhimin e trajnerit, por më tepër problem me kalendarin. Është një kalendar shumë kërkues, përveç dëmtimit të rastësishëm, fatit të keq. Ka vërtet shumë ndeshje”,- tha ai në konferencën paraprake për ndeshjen kundër Rayo Vallecanos.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll