Sport

“Copa América” 2024 'transferohet' në SHBA, Miami do të presë finalen…

Atlanta do të shërbejë si skenë për fillimin e garës, njoftoi gjithashtu Conmebol

21 Nëntor 2023, 11:09 Nga DOSJA
“Copa América” 2024 'transferohet' në SHBA,

SHBA - Miami dhe Atlanta, në Shtetet e Bashkuara, do të presin përkatësisht ndeshjen finale dhe hapëse të “Copa América” 2024, e vendosur këtë të hënë nga Konfederata e Futbollit të Amerikës së Jugut (Conmebol).

Finalja e kësaj “Copa América”, një kompeticion që do të luhet tërësisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është planifikuar të zhvillohet më 14 korrik të vitit të ardhshëm, në stadiumin “Hard Rock” të Miami, i cili ka një kapacitet për 65 mijë spektatorë.

Fillimi i turneut, i planifikuar për 20 qershor, do të jetë në stadiumin “Mercedes-Benz” në Atlanta, me një kapacitet për 71 mijë spektatorë.

“Ne presim stadiume të mbushura me pasion nga i gjithë kontinenti amerikan për hapjen dhe finalen e një “Copa América” të paharrueshme”,- tha Alejandro Domínguez, president i Conmebol dhe zv.president i FIFA-s.

Domínguez theksoi madhështinë e stadiumeve dhe përfshirjen e Shteteve të Bashkuara: "Në Atlanta, topi do të fillojë të lëvizë dhe nuk do të ndalet për një muaj. Këto janë stadiume madhështore, në qytete të mrekullueshme. Ne jemi mirënjohës për bashkëpunimin e vyer të autoriteteve të Shteteve të Bashkuara dhe miqtë tanë të Concacaf-it”.

Victor Montagliani, president i Konfederatës së Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve (Concacaf) dhe zv.presidenti i FIFA-s, siguron se Atlanta dhe Miami "janë dy vende të klasit botëror" dhe "pritës të shkëlqyeshëm për këto lojëra".

Në “Copa América” të vitit të ardhshëm, 10 ekipe të Amerikës së Jugut dhe gjashtë të ftuar nga Amerika e Veriut, Qendrore dhe Karaibet, do të garojnë në kuadër të një marrëveshjeje midis Conmebol dhe Concacaf.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll