Sport

"Plisat" munguan dje në "Air Albania": Na lanë pa bileta, por shihemi në Gjermani

Ata reaguan përmes një postimi në rrjetet sociale duke shpjeguar se për ta nuk kishte pasur bileta, të cilat ky grupim më parë i merrte rregullisht.

21 Nëntor 2023, 08:07 Nga r.ll
"Plisat" munguan dje në "Air Albania": Na lanë pa
foto ilustruese

TIRANË-Mbrëmjen e djeshme në stadiumin "Air Albania" u luajt ndeshja mes Kombëtares shqiptare dhe Ishujve Faroe. Tifozeria në stadium ishte e zjarrtë, por një nga grupet që mbështesin me rregullsi Kombëtaren kuqezi në rrugëtimin e saj në vite, “Plisat” nga Prishtina, nuk kanë qenë të pranishëm.

Ata reaguan përmes një postimi në rrjetet sociale duke shpjeguar se për ta nuk kishte pasur bileta, të cilat ky grupim më parë i merrte rregullisht. Por gjithashtu, bënë të qartë se mungesa në festën e sotme nuk përbënte problem, pasi në vijim do të ktheheshin përsëri në stadiume, edhe në Gjermani.

“Plisat edhe një herë lajm. Nuk ka bileta. Por, sot nuk kemi kohë për lajmet tuaja. Plisat e kanë përfunduar misionin e tyre, ME SUKSES. Kur të gjithë ia kthyen shpinën kombëtares, ne ishim aty! Këta të njëjtit, të pandalshmit, të pashantazhueshmit, të vetmit, “kriminelat”, “tradhëtarët”… ne do të jemi gjithmonë aty. Pavarësisht ndërhyrjeve të politikës, e të kujtdo, do të jemi përherë e më të fortë.

Nuk ka bileta – nuk ka problem. Le të shkojnë sonte të tjerët për festë. Në fund të fundit Kombëtarja është e të gjithëve. Ne do të kthehemi përsëri, edhe në festa – edhe në ditë të vështira. Plisat janë në festë. Prishtina sonte feston. Feston sepse ajo frymon KUQ E ZI. Sepse KU KA PLISA OSHT’ SHQIPNI. Shihemi në Gjermani!” – shkruajnë Plisat në postimin e tyre.

Mësohet se banderola e shpalosur nga "Plisat" në ndeshjen kundër Çekisë ka sjellë "krisjen" me FSHF. "Mallkue qoftë kush s'na do bashkë", kjo duket se është fraza që ka bërë FSHF-në t'i përjashtojë ata. Kjo banderolë nuk u pëlqye në Tiranë pasi mediat pranë qeverisë e konsideruan si shigjetim ndaj kryeministrit Rama për përplasjet e tij me Kurtin. 

plisat

Sondazh

Poll