Aktualitet

Jamarbër Malltezi lirohet nga burgu, Apeli e lë në arrest shtëpie, nuk ndryshon masa për Berishën

Malltezit i ndalohet të largohet nga banesa e tij, si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë në të njëjtën banesë me të.

21 Nëntor 2023, 11:07 Nga A.B
Jamarbër Malltezi lirohet nga burgu, Apeli e lë në arrest
Malltezi dhe Berisha

TIRANË- Dhëndri i kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berishës, Jamarbër Malltezi është liruar nga burgu. Gjykata e Posaçme e Apelit ndryshoi masën e sigurisë për Malltezin, nga 'arrest me burg', në 'arrest shtëpie'. 

Në njoftimin zyrtar të GJKKO bëhet me dije se me masën e re të sigurisë, Malltezit i ndalohet të largohet nga banesa e tij, si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë në të njëjtën banesë me të. Prokurorja ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë për Berishën. 

“Gjykata shpalli vendimin, duke miratuar Berishën, ndryshon pjesën për Maltezin, duke caktuar masën e sigurimit arrest shtëpie. Kjo çështje mbetet politike. Është një gërvishtje, Malltezi nuk ka asnjë lloj penaliteti. Ky është kallëzimi dhe regjistrimi i procedimit brenda një dite. E pamundur që për çështje te tilla, brenda një dite kalendarike pune të regjistrohet kallëzimi dhe procedim"- tha avokati Genc Gjokutaj.

VENDIMI I PLOTË I APELIT:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 21.11.2023, ora 11:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 56 akti, datë 14.11.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 117, datë 26.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit S.B.

Ndryshimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 116, datë 23.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit J.M., si më poshtë:

Caktimin e masës së sigurimit personal me efekt shtrëngues “Arrest në shtëpi” ndaj të hetuarit J.M., duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën {…} si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë në të njëjtën banesë me të.

Urdhërohet lirimi nga ambientet e paraburgimit it ë hetuarit J.M., në rast se nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër.

Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, policia gjyqësore pranë saj, si dhe policia gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për ekzekutimin e këtij vendimi dhe kontrollimin e zbatimit të urdhrave të dhëna të hetuarit nga kjo gjykatë.

jamarber malltezi

Sondazh

Poll