Sport

“Nuk më mjaftojnë vetëm 24 orë!” Braziliani Thiago Silva e ndan ditën mes familjes dhe... shtatë profesionistëve

Qendërmbrojtësi i Chelseat shpjegoi “sekretin” e jetëgjatësisë së tij sportive

3 Nëntor 2023, 11:39 Nga DOSJA
“Nuk më mjaftojnë vetëm 24 orë!” Braziliani

ANGLI - Thiago Silva ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në futbollin europian dhe është ende në krye të lojës në moshën 39-vjeçare, duke pasur një vend të përhershëm në qendër të mbrojtjes së Chelseat. 

Nuk është një rast unik, kjo është e sigurt, sepse ka shumë qendërmbrojtës që janë bërë shembuj të vërtetë të jetëgjatësisë gjatë historisë dhe ka ende disa që janë të jashtëzakonshëm sot, siç është Pepe. Por, në fund të fundit, cili është sekreti i kësaj 'rinie të përjetshme'? Në rastin e Thiago Silvës, “receta” përfshin… mbushjen e ditës në maksimum.

Në një intervistë për "The Guardian", braziliani përshkroi ditën e tij dhe zbuloi se ai çdo ditë merret me një ekip prej shtatë profesionistësh, që i kushtojnë vëmendje çdo detaji. Për t'ju dhënë një ide, mbrojtësi brazilian duhet ta ndajë ditën e tij me një mjek, një dietolog, një fizioterapist, një agjent, një avokat, një zyrtar shtypi dhe një trajner personal. 

“Nuk mjaftojnë 24 orë në ditë”,- shprehet ai duke shtuar: “Mendojnë se po harxhoj kot, sepse kam shumë njerëz rreth meje, por është pikërisht e kundërta. Është investim”.

Siç është e lehtë të imagjinohet, përditshmëria e Thiago Silvës nuk ka... momente të ‘vdekura’. "Zgjohem rreth orës 8 të mëngjesit dhe duhet të jem në Cobham (qendra stërvitore e Chelsea) në orën 8:45. Arrij, pi një kafe, bëj atë që duhet të bëj. Më pas bëj rikuperimin pas stërvitjes në klub dhe kthehem në shtëpi.

Pushoj dy orë në dhomën hiperbarike. Kur zgjohem, ekipi im i profesionistëve është gati të vazhdojë rikuperimin, darkën, suplementet. Gjithashtu përpiqem të jem me familjen time. Ndonjëherë marr fëmijët e mi (të cilët janë në palestrën e Chelsea) në stërvitje dhe do të shoh".

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll