Aktualitet

Konflikti për pronat në Kepin e Rodonit, lirohet Mark Frroku dhe shtatë të arrestuarit e tjerë

Avokati i Provincës Franceskane Shqiptare, Sokol Dedndreaj, kundërshtoi prokurorin dhe kërkoi paligjshmërinë e arrestimit në flagrancë për 3 klientët e tij, Mark Frrokun, Martin Lazrin e Antonio Lazerin dhe kërkoi mos caktimin e asnjë mase sigurimi për ta.

2 Nëntor 2023, 13:30 Nga A.B
Konflikti për pronat në Kepin e Rodonit, lirohet Mark Frroku dhe
Mark Frroku

TIRANË- Gjykata vendosi lirimin e menjëhershëm të tyre si dhe vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës “detyrim paraqitje” për Mark Frrokun,  Martin Lazrin, Antonio Lazarin, Pal Doda, si dhe për banorët Ylli Reka, Orgito Reka, Erjan Reka dhe Bajram Kaçuli.

Avokati i Provincës Franceskane Shqiptare, Sokol Dedndreaj, kundërshtoi prokurorin dhe kërkoi paligjshmërinë e arrestimit në flagrancë për 3 klientët e tij, Mark Frrokun, Martin Lazrin e Antonio Lazerin dhe kërkoi mos caktimin e asnjë mase sigurimi për ta. Sipas tij, Provinca Franceskane ka një kontratë sipërmarrjeje me kompaninë AML Group ku është ortak Mark Frroku. Personat e prezantuar si banorë të zonës kanë goditur punonjësit e firmës të cilët ishin aty për të kryer detyrën.

Në seancë, avokati tha se Mark Frroku ka qenë në një lokal dhe është afruar e ka vënë në dispozicion dokumentacionin e nevojshëm që mundëson rrethimin e pronës, bazuar në një leje të lëshuar në tetor të vitit 2022 nga Bashkia e Durrësit.

Në seancën që u zhvillua pa praninë e kamerave, Mark Frroku ka deklaruar vetëm gjeneralitetet dhe se ka shtetësinë shqiptare dhe amerikane, si dhe se është dakord me avokatin mbrojtës.

Avokati i banorëve, Skënder Jaka, deklaroi se “konflikti është acaruar, po nuk është vetëgjyqësi, pasi kanë vepruar në mbrojtje të pronës së tyre“. Ai ia la në çmim gjykatës vleftësimin e arrestit, por kërkoi që të mos caktohet asnjë masë shtrënguese për katër banorët e arrestuar.

Konflikti për pronat në bregdet agravoi pak ditë më parë në përdorimin e armëve. Përfaqësues të kishës katolike françeskane kanë qenë duke rrethuar këtë pjesë toke për të kufizuar pronën e tyre të cilën e kanë me certifikatë pronësie. Por pronësinë e saj e pretendojnë dhe banorë të zonës. Familja Kaculi ka një tjetër certifikatë pronësie dhe pretendon se e ka fituar atë përmes ligjit 7501. Të dyja palët u përfshinë në një konflikt fizik mes të cilëve dhe ish-deputeti Mark Frroku, po vendosnin gardhin për të rrethuar pronën e tyre./TopChannel

mark frroku

Sondazh

Poll