Sport

VIDEO / Skuqet kryeqyteti, Partizani mund Tiranën me shifrat 2-1!

Tashmë, pas këtij suksesi, Partizani prek kuotën e 14-të pikëve, momentalisht në vendin e dytë duke lënë pas Tiranën, me “bardheblutë” që mbeten me 13-të pikë dhe tani zbresin në vendin e katërt.

19 Tetor 2023, 21:31 Nga DOSJA
VIDEO / Skuqet kryeqyteti, Partizani mund Tiranën me shifrat 2-1!

TIRANE - Partizani triumfon në derbin e parë të kryeqytetit në këtë edicion, me “të kuqtë” të cilët fituan 2-1 ndaj Tiranës në një sfidë shumë të luftuar dhe me një fund sa dramatik, po aq edhe të bukur, ndërsa skuadra e Abilaliaj-t mori këtë sukses në derbin numër 200-të në histori.

Në “Air Albania” të dyja skuadrat u prezantuan me misionin për të marrë maksimumin, jo vetëm për tri pikët, por edhe për lavdinë që të dhuron kjo sfidë. Pjesa e parë tregoi në fushën e lojës dy skuadra të kujdesshme, sidomos në prapavijë, ndërsa vetëm dëshira për të gjetur golin nuk mjaftoi, pasi si Partizani ashtu edhe Tirana vuajtën mungesën e finalizimit.

Në një fraksion të varfër në raste, Cara kishte mundësinë më ideale për të gjetur golin në minutën e 27-të, por sulmuesi i Partizanit u ndal nga një super pritje e Abdullahu-t, më portierin që i tha jo golit. Në fundin e fraksionit, Tirana u kundërpërgjigj me Dokën, por ky i fundit nuk ia doli të gjente goditjen e duhur në portën e Alban Hoxhës.

Me rrjeta të paprekura u mbyll pjesa e parë, ndërsa në fraksionin e dytë ishte Tirana që krijoi iluzionet e golit me anë të Latifit, por ky i fundit u ndal nga traversa në minutën e 51-të. Reagimi i “të kuqve” erdhi pas 14 minutash, me Taipin që i shkoi pranë golit, por u ndal nga Abdullahu.

Ashtu si në nisje të këtij fraksioni, Tirana ishte e pafat edhe në minutën e 73-të, moment kur Partizani dhe Hoxha u “nderuan” nga traversa, me Hoxhallarin që nuk ia doli të gjente rrjetën. Pas këtij momenti, skuadra e Arbër Abilaliajt reagoi dhe katër minuta më vonë, pas një goditje nga këndi realizoi golin e avantazhit me anë të Maguette që fluturoi mbi mbrojtjen “bardheblu” për të prekur rrjetën dhe për të zhbllokuar derbin.


Një gol që vendosi në lëvizje skuadrën e Tiranës, ndërsa “të kuqtë” menduan të administronin kronometrin, por llogaritë i ndryshoi Florent Hasani, me sulmuesin “bardheblu” që gjeti rrugën e rrjetës dhe barazoi gjithçka në limitet e kohës së rregullt.


Tetë minuta shtesë, por vetëm pak sekonda zgjati barazimi, pasi Partizani gjeti recetën e golit dhe realizoi me anë të Mensah, që devijoi lehtësisht topin e dërguar në zonë nga Keko, por mjaftueshëm për të shkundur përsëri rrjetën e Abdullahu-t.


Një fund dramatik, kur në të 98-ën minutë, Abdullahu ishte gati për një mrekulli në një goditje këndi, me portierin “bardheblu” që gjeti goditjen e duhur, por u ndal nga Alban Hoxha, ndërsa Mensah nuk shfrytëzoi portën e boshatisur.

Në fund 2-1 dhe Partizani vijon të dominojë në derbin e kryeqytetit, me Tiranën që nuk fiton prej një viti, me katër takimet e fundit që kanë folur për “të kuqtë”, me tre fitore dhe një barazim. Tashmë, pas këtij suksesi, Partizani prek kuotën e 14-të pikëve, momentalisht në vendin e dytë duke lënë pas Tiranën, me “bardheblutë” që mbeten me 13-të pikë dhe tani zbresin në vendin e katërt.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll

Sport 19 Tetor 2023, 15:10

Leo Messi, një mesazh për Neymar…

ARGJENTINE - Lionel Messi nuk ka qenë indiferent ndaj fatkeqësisë së Neymar dhe i ka lënë një mesazh brazilianit në rr...