Politike

Vrasja e policit në Kosovë, Bardhi: Rama të heqë dorë nga deklaratat neutrale, të mbështesim popullin e Kosovës

Bardhi deklaron se Rama dhe të gjitha institucionet përgjegjëse të shtetit shqiptar duhet të përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese, duke qenë plotësisht vetëm në mbështetje të institucioneve të Kosovës dhe popullit të Kosovës.

24 Shtator 2023, 19:48 Nga A.B
Vrasja e policit në Kosovë, Bardhi: Rama të heqë dorë
Gazment Bardhi

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të vulës, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me situatën në veri të Kosovës. Më tej, Bardhi i bën thirrje Ramës që të heqë dorë nga deklaratat, sjellja dhe roli neutral mbi situatën në veri të Kosovës.

Sipas tij, Rama dhe të gjitha institucionet përgjegjëse të shtetit shqiptar duhet të përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese, duke qenë plotësisht vetëm në mbështetje të institucioneve të Kosovës dhe popullit të Kosovës.

REAGIMI I PLOTË:

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka ndjekur gjatë gjithë ditës me shumë shqetësim situatën e krijuar në veri të Kosovës. Sulmet e vazhdueshme terroriste kundër forcave të sigurisë së Kosovës, që kulmuan sot me vrasjen e një punonjësi të Policisë së Kosovës në krye të detyrës, bëjnë të domosdoshme që ti jepet fund lojës me bashkëpërgjegjësi të agresorëve dhe viktimave. Bashkëpërgjegjësia midis agresorit dhe viktimës nxit terroristët të përgatisin dhe kryejnë sulme të tilla kriminale në territorin e Kosovës. Përgjegjësia për situatën është vetëm e agresorit dhe atyre që vazhdimisht provokojnë me akte të papranueshme një shtet sovran.

Kosova e lirë dhe e pavarur është një realitet i pakthyeshëm. Serbia duhet ta pranojë këtë realitet dhe duhet të heq dorë nga çdo provokim kriminal në veri të Kosovës, duke u ulur në tryezën e dialogut pa kushte, me ndërmjetësimin e SHBA-BE.

Duke i shprehur ngushëllimet e sinqerta familjes së heroit Afrim Bunjaku, gjejmë rastin të dënojmë me forcë sulmin dhe të shprehim mbështetjen e plotë për Policinë dhe institucionet shtetërore të Kosovës, për ruajtjen e integritetit të tyre territorial dhe funksionimin e shtetit ligjor në çdo pjesë të territorit të Kosovës. Ne mbështesim të gjitha veprimet ligjore për vënien para përgjegjësisë së autorëve të sulmin dhe dënimin e tyre sipas ligjeve në fuqi.

Gjithashtu, gjejmë rastin të kërkojmë nga institucionet e shtetit shqiptar, përfshirë Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, që të heqin dorë nga deklaratat, sjellja dhe roli i tyre neutral mbi situatën në veri të Kosovës. Kryeministri i Shqipërisë dhe të gjitha institucionet përgjegjëse të shtetit shqiptar duhet të përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese, duke qenë plotësisht vetëm në mbështetje të institucioneve të Kosovës dhe popullit të Kosovës, në bashkërendim të plotë edhe me partnerët strategjik të Kosovës e Shqipërisë.”.

gazment bardhi tensione ne veri te kosoves

Sondazh

Poll