Politike

Çështja Beleri, Idrizi: Tregon pafuqinë e Shqipërisë, nuk dihet të ishte fare kandidat

Po ashtu ai ka theksuar se kjo është pika e vetme që ai pajtohet me kryeministrin Edi Rama. 

23 Shtator 2023, 18:46 Nga I.A
Çështja Beleri, Idrizi: Tregon pafuqinë e Shqipërisë,
Shpetim Idrizi

TIRANË- Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka deklaruar se çështja Beleri ka treguar se sa e pafuqishme është Shqipëria. I ftuar në emisionin 'Kjo Javë' në News24, Idrizi ka deklaruar se Fredi Beleri nuk duhet që të ishte fare kandidat për kryebashkiak. Po ashtu ai ka theksuar se kjo është pika e vetme që ai pajtohet me kryeministrin Edi Rama. 

"Rasti i Belerit është rasti tipik se si një person zgjidhet për të krijuar tensione dhe është rasti për të kuptuar asimetrinë e Greqisë ndaj Shqipërisë. Ky rast tregon pafuqinë e Shqipërisë për të treguar ato që janë interesi i saj, heqja e ligjit të luftës, çështja çame dhe çështje të tjera. Një person si Beleri, i akuzuar edhe për masakrën e Peshkopisë, po flasim për një njeri që është i dënuar për djegien e simboleve kombëtare, si është e mundur që mbrohet nga shteti grek? Si është e mundur që vjen Dhoma e Avokatëve të Greqisë në Shqipëri për të mbrojtur Belerin dhe mjaftonte një pyetje e gazetarit të News24 që e pyeti se çfarë kishin për të thënë për të drejtën e Çamërisë dhe ata heshtën si fija e barit. Greqia sa herë që i jepet rasti përdor një arrogance të çuditshme dhe Shqipëria asnjëherë nuk kujtohet ri kërkojë palës greke faktin që ne kemi një ligj lufte. Kam qenë njeriu që nga të paktët që nga shtatori i vitit të kaluar kur diskutohej kandidatura e Belerit, deklarova që ky njeri me kaq rekorde nuk mund të jetë kandidat për asnjë parti. Një njeri që akuzohet për vrasje, del me flamurin e Vorio Eprit, përballë Greqisë që mban një ligj lufte me Shqipërinë, nuk njeh çështjen çame, nuk njeh Kosovën, unë zgjedh kryeministrin e Shqipërisë. Ky është rasti të jemi me kryeministrin e Shqipërisë sepse nëse nuk bashkohemi as në këtë pikë për çfarë rrimë në politikë," tha Idrizi.

shpetim idrizi

Sondazh

Poll