Sport

VIDEO/ Spektakël golash në “Allianz Arena”! Dridhërima për Bayern në fundin e ndeshjes, “Djajtë” tentojnë të zgjohen

Me rezultatin 4-3 u mbyll takim. Bavarezët pësuan tre gola, por megjithatë morën tre pikët ndaj Manchester United

21 Shtator 2023, 08:00 Nga DOSJA
VIDEO/ Spektakël golash në “Allianz Arena”!

GJERMANI - Bayern Munich mundi Manchester United 4-3 në një ndeshje emocionuese të raundit të parë të fazës së grupeve të Champions League. Bavarezët kishin epërsi gjatë gjithë ndeshjes, por në minutat e fundit iu desh të dridheshin për suksesin. 

Leroy Sane, Serge Gnabry, Kane dhe Mathis Tell shënuan për ekipin vendas, ndërsa Casemiro dy herë dhe Hejlund shënuan për “Djajtë e Kuq”.

Pjesa e parë në “Allianz Arena” ishte e gjitha për bavarezët. Ata hynë në pushim me dy gola epërsi, pasi Leroy Sane dhe Serge Gnabry shënuan respektivisht në minutën e 28-të dhe 32.

Skuadra e Erik ten Haag u rikthye më e fortë pas pushimit. Rasmus Heylund shkurtoi rezultatin në minutën e 49-të. 20-vjeçari danez shënoi golin e tij të parë për Man.United që nga transferimi i tij nga Atalanta këtë verë.

Bavarezët e rikthyen epërsinë me dy gola në minutën e 53-të, kur u akordua një penallti për lojë me dorë. Harry Kane e ktheu në gol penalltinë dhe e bëri rezultatin 3-1.

Mesfushori brazilian Casemiro shënoi në minutën e 88-të për “Djajtë e Kuq” për të rikthyer shpresat e ekipit të tij. Megjithatë, të ftuarit u përvëluan shumë shpejt. Matis Tell, i cili hyri në fushë në minutën e 87-të, shënoi në kohën e shtuar për 4-2 në favor të vendasve.

Goli i fundit në “Allianz Arena” ishte vepër po e Casemiros, i cili thjesht fiksoi rezultatin përfundimtar 4-3 dhe kështu Bayerni e nisi me fitore aventusën e tij në Champions League.

Kjo disfatë është një tjetër goditje për skuadrën e tronditur të Man.United. “Djajtë e Kuq” pësuan humbjen e tretë radhazi, pasi u mundën edhe nga Brighton dhe Arsenali këtë muaj para ndeshjes me Bayern.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll