Sport

Peter Knowles, ylli 23-vjeçar anglez, që la futbollin për t'u bërë "Dëshmitar i Jehovait"

Wolverhampton i përgatiti rrobat e stërvitjes për një vit, por trokitja në derën e tij nga dy “Dëshmitarë të Jehovait” ia ndryshoi jetën talentit anglez.

14 Shtator 2023, 11:13 Nga DOSJA

ANGLI - Peter Knowles ishte një nga premtimet e mëdha të futbollit anglez në vitet gjashtëdhjetë dhe një figurë në zhvillim për Wolverhampton Wanderers (61 gola në 174 ndeshje), të cilin analistët e kishin përshkruar, si pasardhësin natyror të George Best.

Pas një ndeshjeje kundër Nottingham Forest, të luajtur më 6 shtator 1969, kur ishte vetëm 23 vjeç, Peter Knowles vendosi të tërhiqej nga futbolli dhe të varte këpucët për t'iu përkushtuar me trup dhe shpirt Dëshmitarëve të Jehovait.

Gazeta 'The Sun' kujton se gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara për të luajtur si huazim për Kansas City Spurs, jeta e Knowles ndryshoi, kur dy Dëshmitarë të Jehovait vendas trokitën në derën e tij.

"Në atë kohë, unë isha ateist. Nuk besoja në një Zot. Isha i lumtur që isha një futbollist profesionist dhe luaja për Wolves... dhe isha i mirë në këtë,"- i thotë Peter Knowles.

"Një ditë, dy Dëshmitarë të Jehovait trokitën në derën time. Unë i pyeta: "Pse vdiqën babai dhe dy motrat, të cilat nuk kishin bërë asgjë të keqe?" Ata hynë dhe iu përgjigjën asaj pyetjeje. Ata iu përgjigjën një pyetjeje tjetër dhe më pas një tjetër pyetjeje për mua, për të cilën nuk mora kurrë përgjigje. Kështu u bëra Dëshmitar i Jehovait",- thotë ish-futbollisti për konvertimin e tij fetar në Kansas.

Pas kësaj bisede Peter Knowles u kthye në Mbretërinë e Bashkuar për të luajtur sërish me Wolves, me të cilët shënoi në tre ndeshjet e para të sezonit dhe emri i tij tashmë kishte filluar të dëgjohej për t'u përzgjedhur nga Alf Ramsey për të luajtur me Anglinë në Kupa e Botës 1970.

Peter Knowles, ylli 23-vjeçar anglez, që la futbollin për

Por pasi luajti kundër Nottingham Forest më 6 shtator 1969, ai vendosi të tërhiqej papritur nga futbolli. "Nëse nuk do t'i kisha takuar ata dy Dëshmitarë të Jehovait, do të kisha vazhduar të luaja futboll, por i dëgjova dhe mendova: "Po, kjo ka kuptim. Është vendimi më i mirë që kam marrë ndonjëherë në jetën time. Nuk kam pendua kurrë, asnjë here të vetme," pranon Peter Knowles për katarsisin e tij të jetës.

Peter Knowles kujton zemërimin e nënës së tij për vendimin e tij dhe sesi të gjithë menduan se ai do të kthehej pas gjashtë muajsh.

"Wolverhampton përgatiti rrobat e mia për rreth një vit dhe më dërgonte kontrata për më shumë se 10 vjet (deri në moshën 36-vjeçare). Ata menduan se unë një ditë do t'i firmosja," shpjegoi Knowles, tani 77 vjeç.

"Bibla thotë: 'Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë'. Por kur vesha një fanelë futbolli, kishte një ndryshim. Njerëzit filluan të më adhuronin. Më kishin idhull. Më trajtonin ndryshe nga një person i zakonshëm. Pastaj mendova, "Çfarë do të bëj?" Nuk mund t'i bëja të dyja. Më duhej të hiqja dorë nga njëra ose tjetra."

Pasi la futbollin në moshën 23-vjeçare, Peter Knowles punoi si qumështor, shitës pllakash, pastrues dritaresh dhe në një depo të Marks & Spencer, derisa doli në pension në vitin 2010.

"Në thelb unë punoj, predikoj, lexoj Biblën dhe shkoj në mbledhje; kjo është jeta ime. Dhe jam shumë i lumtur me këtë," shpjegoi ai.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll