Sport

Blutë e kryeqytetit prezantohen si “Dinamo City”! Në krye të saj trajneri italian Di Biagio

“E njoh mirë historinë e Dinamos dhe 15 vitet e fundit të saj, ku nuk ka fituar asnjë trofe. Jemi këtu për ta rikthyer në nivele të larta dhe kemi një projekt për ta bërë këtë brenda 2-3 vitesh”

25 Gusht 2023, 20:37 Nga DOSJA

TIRANE - Para fillimit të sezonit të ri të Abissnet Superiores, blutë e dikurshëm të kryeqytetit janë prezantuar si “Dinamo City”, skuadra e promovuar këtë sezon, e cila pritet të sjellë risi në futbollin shqiptar.

Gjatë ceremonisë së sotme përpara gazetarëve, në ambientet e hotelit "Villa Pascucci" në Durrës, presidenti Adrian Bardhi prezantoi sponsorin gjeneral, i cili do të jetë i stampuar në pjesën e përparme të fanelës, "Durrës Yachts & Marine" si dhe 3 aksionerët e rinj të klubit, të cilët janë Edmond Shahini, Genc Mataj dhe Ergys Agasi.

Me një logo të re, fanela totalisht ndryshe nga ato të mëparshmet dhe me një trajner italian si Luigi Di Biagio, Dinamo e re bëhet gati për sezonin e ri futbollistik. Në prezantim të pranishëm ishin edhe drejtues të klubit, por edhe blerjet e fundit të cilat janë zyrtarizuar përgjatë këtyre ditëve.

Pas prezantimit që iu bë trajnerit Di Biagio, ai foli pse zgjodhi të vinte në Shqipëri dhe të drejtonte skuadrën e Dinamos. “Kam kuptuar se ka dëshirë për t’u rritur, ka dëshirë për të luajtur me të rinjtë, ka dëshirë për të arritur në një nivel shumë të mirë, kështu që mjafton të shohësh projektin dhe entuziazmin, për të kuptuar pse kam ardhur këtu,” - deklaroi Di Biagio.

Blutë e kryeqytetit prezantohen si “Dinamo City”! Në krye

Ky sezon ri për Dinamon Cityn do të jetë një sfidë e veçantë dhe mund të konsiderohet ndryshe edhe si viti i rindërtimit. “Është një sfidë e madhe. E njoh mirë historinë e Dinamos dhe 15 vitet e fundit të saj, ku nuk ka fituar asnjë trofe.

Jemi këtu për ta rikthyer në nivele të larta dhe kemi një projekt për ta bërë këtë brenda 2-3 vitesh. Ndonëse të jem i sinqertë, unë shpresoj t’ia dalim më shpejt. Jam mësuar të mendoj dhe të shoh gjithnjë lart, por duhet të jem i sinqertë, ky do të jetë një vit rindërtimi,” - tha Di Biagio.

Pjesë e Dinamo Cityt do të jetë dhe një emër i njohur i futbollit shqiptar, ish-menaxheri i Skënderbeut të famshëm, Haris Fakic, në rolin e drejtorit sportiv, personi përgjegjës për merkaton e bluve. “Besoj se bëmë shumë mirë, jam i kënaqur nga merkato, e cila është drejt përfundimit. Deri në ditën e fundit mund të ketë edhe ndonjë surprizë tjetër,”- u shpreh Haris Fakic.

Dinamo do ta nisë rrugëtimin në Superiore, me një ndeshje delikate të dielën, siç është derbi i kryeqytetit ndaj Tiranës, i cili luhet në orën 20:00 në stadiumin “Elbasan Arena”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll