Aktualitet

Gjykata zgjat me 3 muaj hetimet për Alda Klosin, avokati: Prokuroria nuk ka prova

Avokati i Klosit, në një komunikim për mediat është shprehur se shtyerja me 3 muaj e hetimit nuk është e ligjshme, duke pretenduar se Prokuroria nuk ka ende asnjë provë të arsyeshme për të shtuar kohën e hetimeve.

3 Gusht 2023, 12:31 Nga k.m.
Gjykata zgjat me 3 muaj hetimet për Alda Klosin, avokati: Prokuroria nuk ka
Alda Klosi dhe Rozeta Dobi

TIRANË- Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për të zgjatur me 3 muaj hetimet për ish-zyrtaren Alda Klosi. Pas seancës së sotme, avokati i Klosit, në një komunikim për mediat është shprehur se shtyerja me 3 muaj e hetimit nuk është e ligjshme, duke pretenduar se Prokuroria nuk ka ende asnjë provë të arsyeshme për të shtuar kohën e hetimeve.

“Vazhdon praktika, ‘masë e arrestit me burg, derr sa të gjenden provat kundër’. Ndërkohë duhet të jetë inversi. Alda Klosi nuk ishte sot prezentë. Ligji procedurial lejon vetëm praninë e avokatit. Vullneti i saj është që duhej të rrëzohej kërkesa e Prokurorisë. Gjashtë muaj kanë kaluar nga urdhri i ndalimit. Ndaj saj duhet të kishte prova, por në rastin konkret nuk ka asnjë dyshim të arsyeshëm,”- ka bërë me dije avokati.

Çështja e Rozeta Dobit dhe Alda Klosit mori një vëmendje të shtuar nga drejtësia shqiptare për shkak të shumës rekord që pastruesja ia doli të vidhte në banesën e zyrtares, një vlerë që e kalon atë të 500 mijë eurove, burimi i të cilave nuk dihet. Këto para edhe pse kanë kaluar kohë që prej zbulimit të vjedhjes, nuk dihet se ku i ka gjetur Alda Klosi. 

Vjedhja e shtëpisë së Klosit ndodhi më 15 dhjetor dhe u pikas nga vajza e ish-zyrtares, pasi Rozeta Dobi dhe djali i saj Havieri kishin hapur derën me forcë dhe e kishin inskenuar si grabitje. Por, kamerat e sigurisë zbuluan gjithçka. Tashmë nënë e bir janë në pranga. Ata kanë pranuar autorësinë e ngjarjes, por misteri lidhet me pronarin e parave. Kjo pasi në ditën e arrestimit, policia gjeti në banesën e Rozetës dhe Havierit një sasi prej gati 120 milionë lekë të vjetra, para dhe stoli floriri.

Kjo shumë sipas Alda Klosit bashkë me florinjtë i përket asaj. Por të nesërmen pas arrestimit, falë një përgjimi ambiental policia gjeti të fshehura në tubin e aspirimit të shtëpisë së pastrueses edhe 400 mijë euro të tjera. Këto para janë pa pronar sot, pasi Alda Klosi mohon që të jenë vjedhur në banesën e saj. Pastruesja nga ana tjetër pohon se edhe këto para i ka marrë te Klosi. Për këtë shumë nuk ka asnjë denoncues në Polici. Klosi kishte pretenduar para hetuesve se paratë ishin të xhaxhait dhe i kishte ruajtur për kurimin e tij, por ai ndërroi jetë në SHBA, ku edhe po kurohej./Dosja.al

alda klosi rozeta dobi

Sondazh

Poll