Bota

Zgjedhjet në Veri/ BE 'e prerë': Të shpallen sa më parë, serbët të marrin pjesë pa kushte

Në fund të deklaratës, BE-ja tha se mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për të reduktuar me 25% praninë e policisë në dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës. 

28 Korrik 2023, 13:36 Nga a.l
Zgjedhjet në Veri/ BE 'e prerë': Të shpallen sa më
Foto ilustruese

KOSOVË- Bashkimi Evropian ka kërkuar që të shpallen sa më shpejt zgjedhjet e parakohshme në veri, një nga pikat e propozuara më herët, për uljen e tensioneve me Serbinë. Një zëdhënës i BE-së tha për median e Kosovës Telegraf, se pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje duhet të jetë e plotë dhe pa kushte, ndërsa shprehu shqetësimin për situatën mes dy vendeve. 

“Këto janë hapa në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të mëtejshëm. Për më tepër dhe për t’i dhënë fund krizës aktuale, zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Kjo do të thotë me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”, thotë një zëdhënës i BE-së për Telegraf. 

BE-ja po ashtu ka dënuar dhunën dhe ka bërë thirrje për de-përshkallëzimin e menjëhershëm të situatës nga të dyja palët.

“BE-ja ka bërë kërkesa specifike për de-përshkallëzimin për të dyja palët (sipas Deklaratës së Përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së të datës 3 qershor, propozimit të Përfaqësuesit të Lartë për të dyja palët më 22 qershor dhe konkluzioneve të Këshillit Evropian të 30 qershorit). Në deklaratën e 3 qershorit, të rënë dakord nga të 27 shtetet anëtare, BE tha qartë se ishte e gatshme të merrte masa të vendosura në rast të dështimit për të de-përshkallëzuar. BE-ja i kërkoi Kosovës që të mos e përshkallëzojë situatën dhe të pezullojë menjëherë operacionet e policisë brenda dhe në afërsi të katër ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Katër kryetarët e komunave duhet të kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale”, thuhet në deklaratë.  

Në fund të deklaratës, BE-ja tha se mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për të reduktuar me 25% praninë e policisë në dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës. 

albin kurti tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll