Bota

'Skandaloze!'/ Krasniqi reagon ndaj deklaratave të Sveçlës: Po fyen veteranët dhe gazetarët! Do të heqë vëmendjen nga skandali i përgjimeve

Ai tha se veteranët kanë paralajmëruar sot protestë paqësore për të kërkuar respekt dhe dinjitet nga një Qeveri e cila po i diskriminon në çdo hap e vendim.

15 Korrik 2023, 15:03 Nga a.l
'Skandaloze!'/ Krasniqi reagon ndaj deklaratave të
Memli Krasniqi

KOSOVË- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, duke thënë se Qeveria po kërkon përplasje për të larguar vëmendjen nga përgjimet e publikuara mes shefes së GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila me nënkryetarin e Listës Sere, Slavko Simiç.

“Përmes një deklarate skandaloze dhe fyese ndaj veteranëve dhe gazetarëve, nxitëse mbi të gjitha – Qeveria e Albin Kurtit po kërkon përplasje. Vetëm një Qeveri e dështuar, e papërgjegjshme dhe pa fijen e ndërgjegjes, përmes veprimeve të saj, kërkon dhunë në mesin e popullit të saj”, ka shkruar Krasniqi.

Ai tha se veteranët kanë paralajmëruar sot protestë paqësore për të kërkuar respekt dhe dinjitet nga një Qeveri e cila po i diskriminon në çdo hap e vendim.

Pikërisht, për ta eskaluar këtë protestë që veteranët tanë të përballen me policinë, vëllezërit dhe motrat e veta, një ministër pa karakter si Xhelal Sveçla del me fyerje dhe nxitje të tilla. Kjo Qeveri e ka humbur arsyen. E ka humbur rrugën. Shpëtimin, sikur gjatë gjithë historisë së saj, e kërkon në përplasje civile. Turp i madh! Fatkeqësi e madhe! Gjithsesi, kjo është vetëm një tentativë e ulët e Qeverisë, e dështuar në të njëjtën kohë që përmes nxitjes dhe skandalit të radhës ta heqë vëmendjen nga koordinimi i Albin Kurtit me Millan Radojçiqin, përmes shefes së Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila. Ftoj veteranët dhe të gjithë pjesëmarrësit sot në protestë për vetëpërmbajtje dhe qetësi. Mos bini pre e këtij orkestrimi antikombëtar!”, shkruan ai. 

Sot ministri Sveçla në një shkrim të gjatë u shpreh se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është duke humbur betejën në terren në raport me kryeministrin, Albin Kurtin, prandaj edhe po i kthehet luftës hibride përmes së cilës tenton të nxisë trazira në Kosovë. Ndër të tjera ai thotë se mbetet të shihet sot nëse qytetarët e Republikës së Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë. 

 

memli krasniqi

Sondazh

Poll