Bota

Protesta e veteranëve të UÇK-së dhe skandali i audio-përgjimit/ Deklarata 'e fortë' e Sveçlës: Mos bini pre e luftës hibride të Vuçiçit

Në një postim në rrjete sociale Sveçla shkruan se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç po e humb 'betejën' në terren me Kurtin, dhe se sipas tij, po i kthehet luftës hibride që përmes mekanizmave që ka në kontroll, të tentojë të nxisë trazira në Kosovë. 

15 Korrik 2023, 13:48 Nga a.l
Protesta e veteranëve të UÇK-së dhe skandali i
Xhelal Sveçla

SERBI- 'Lufte hibride e Vuçiçit', kështu e ka cilësuar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla publikimin e audio-përgjimeve të Shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila me ish-deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiç dhe protestën e paralajmëruar të veteranëve  të UÇK-së, pasi s’u përfshinë në Ligjin për pagën minimale. Në një postim në rrjete sociale Sveçla shkruan se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç po e humb 'betejën' në terren me Kurtin, dhe se sipas tij, po i kthehet luftës hibride që përmes mekanizmave që ka në kontroll, të tentojë të nxisë trazira në Kosovë. 

“Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njejtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiçit. Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë. Mbetet të shihet sot nëse qytetarët e Republikës së Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë”, ka shkruar Sveçla.

Postimi i plotë:

Lufta hibride në aksion

Vuçiçi po e humb betejën në terren me Kurtin, prandaj edhe po i kthehet luftës hibride që përmes mekanizmave që ka në kontroll të tentojë të nxisë trazira në Kosovë.

Ai po e humb ndikimin në veriun e Kosovës sepse i janë arrestuar kriminelët kryesorë, i janë mbyllur rrugët e kontrabandës dhe i janë shkatërruar laboratorët e drogës e fermat e kriptovalutave.

Atij po i dobësohen krahët sepse dora e djathtë e tij dhe njeriu kryesor që mban lidhjen me Moskën, Aleksandër Vulin, para ca ditësh iu sanksionua nga SHBA.

Belgjika dhe Britania e Madhe ia suspenduan licencat për prodhimin e armatimit, nën dyshimet se kishte furnizuar me municion e armatim edhe Rusinë e sanksionuar.

Në Beograd, çdo të shtune, tash e disa javë ka protesta masive që kërkojnë dorëheqjen e tij, dhe nuk duket se protestat do të ndalen shumë shpejt.

I gjendur në një situatë të tillë, ku pozicioni i tij karshi Kosovës po dobësohet dita ditës, me sa duket Vuçiçi ka vendosur që t’i kthehet luftës hibride, që përmes dezinformatave, shpifjeve, krijimit të frikës e mosdurimit, të provojë të nxisë pakënaqësi e trazira edhe në Kosovë. Kjo nuk ka qëllim forcimin e pozicionit negociues të Vuçiqit, por dobësimin e pozicionit të Kurtit.

Biseda të zhvilluara në Kuvend, të cilat Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiçit, nga dora e Vuçiqit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë.

Dhe tani si rezultat i keqinterpretimeve të qëllimta e patëm një skenë dhune të provokuar në parlamentin e Kosovës, dhe si të mos mjaftonin ato skena që portretizuan Kosovën si vend jostabil në të gjitha mediat ndërkombëtare, sot ka edhe një protestë të thirrur para qeverisë.

Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njejtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiçit.

Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë.

Mbetet të shihet sot nëse qytetarët e Republikës së Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë.

Audio-përgjimi

Ditët e fundit janë publikuar disa audio-incizime të një bisede mes shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila si dhe Sllavko Simiçit nga Lista Serbe. Këto audio-incizime të publikuara nga gazeta “Nacionale”, ku përfshihen Kusari-Lila dhe Simiçi në një bisedë mes vete, kanë nxitur debat në opinion. Opozita akuzon pushtetin se ka koordinuar veprimet e tyre me Listën Serbe në projektligjet e ndryshme në Kuvend. Ndërkaq, nga partia në pushtet kanë thënë se audio-incizimet janë redaktuar dhe se qeveria nuk ka asnjë varësi nga Lista Serbe.

xhelal sveçla

Sondazh

Poll