Bota

SHBA e sanksionoi! Vuçiç premton hetimin e 'bashkëpunëtorit' të tij: Vulin u ndëshkua për qëndrimin e tij lidhur me Federatën Ruse

Departamenti i Thesarit tha se Aleksandër Vulin, ka ndihmuar Moskën në veprimtaritë e saj "keqdashëse" në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe se kishte lidhje me një tregtar armësh dhe një rrjet trafiku droge.

12 Korrik 2023, 17:02 Nga k.m.
SHBA e sanksionoi! Vuçiç premton hetimin e
Aleksandër Vulin dhe Aleksandër Vuçiç

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha të mërkurën se Serbia do të hetojë akuzat e Shteteve të Bashkuara ndaj shefit të Agjencisë së saj të zbulimit, një ditë pasi Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj zyrtarit pro-rus Aleksandër Vulin. Departamenti i Thesarit tha se Aleksandër Vulin, ka ndihmuar Moskën në veprimtaritë e saj "keqdashëse" në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe se kishte lidhje me një tregtar armësh dhe një rrjet trafiku droge.

“Është shumë e rëndësishme të kryhet një hetim”, u tha presidenti Vuçiç gazetarëve duke nënvizuar se “Aleksandër Vulin nuk u sanksionua për ndonjë krim apo korrupsion apo çfarëdo tjetër, por për shkak të qëndrimit të tij në lidhje me Federatën Ruse”.

Aleksandër Vulin, i cili udhëheq Lëvizjen Socialiste e cila është pjesë e qeverisë serbe dhe i cili më parë ka mbajtur postet e ministrit të Mbrojtjes dhe atij të Brendshëm, është zyrtari i parë i lartë serb që sanksionohet nga Shtetet e Bashkuara që kur Aleksandër Vuçiç mori postin e presidentit me 2017. Partia e Aleksandër Vulinit akuzoi në një deklaratë Shtetet e Bashkuara, për gënjeshtra dhe shtrembërim të së vërtetës". Në të kaluarën, Aleksandër Vulin, një mbështetës i vendosur i ish-presidentit serb Slobodan Millosheviç në vitet e 90-ta, vizitoi Rusinë dhe u takua me shefat e agjencive të saj të zbulimit, së fundmi në muajin maj, kur ai mori pjesë në një konferencë sigurie në Moskë.

Në muajin janar, ai u akuzua nga një grup veprimtarësh serbë dhe pro-ukrainas për përfshirje në rekrutimin e serbëve për të luftuar në radhët e grupit mercenar rus Wagner në Ukrainë.

Në vitin 2022, e përditshmja e Beogradit Nova citoi politikanin rus të opozitës Vladimir Kara-Murza të ketë thënë se ai dhe pjesëtarët e opozitës ruse u përgjuan gjatë takimit të tyre në Beograd dhe se Aleksandar Vulin i dorëzoi Moskës përgjimet e bisedave. Ndonëse Beogradi e ka dënuar agresionin rus në Ukrainë, deri më tani ka refuzuar t'u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës.

Serbia është një vend kandidat për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, por së pari duhet të çrrënjosë korrupsionin e shfrenuar, krimin e organizuar dhe të harmonizojë politikat e saj të jashtme me ato të bllokut./VOA

Sondazh

Poll