Bota

Në Indi çmimi i domateve e ka kaluar atë të benzinës, rritje me 445%

Disa parti në Indi kanë humbur zgjedhjet, sepse nuk kanë mundur të kontrollojnë çmimin e qepëve, të cilat së bashku me domatet janë elementë kryesorë të dietës së përditshme të qytetarëve

7 Korrik 2023, 17:58 Nga m.s
Në Indi çmimi i domateve e ka kaluar atë të benzinës,
domate

INDI- Çmimet e ushqimeve, veçanërisht frutave dhe perimeve, janë veçanërisht të larta. Megjithatë, situata është shumë e keqe në Indi, dhe veçanërisht në lidhje me çmimin e domateve, ku Bloomberg flet për një rritje prej 445% në çmimin e saj.

Sipas Bloomberg, çmimet e domates në Indi janë rritur në shifra të paimagjinueshme, për shkak të kushteve të pafavorshme të motit. Reshjet e dendura në disa zona të rritjes së domateve, dhe temperaturat më të ngrohta se normalja muajin e kaluar kanë goditur prodhimin, duke bërë që çmimet të pesëfishohen këtë vit. Domatet zakonisht bëhen më të shtrenjta gjatë muajve qershor dhe korrik, por ndikimi këtë vit ishte shumë më i madh.

Domatet dhe qepët janë aq të rëndësishme për kombin më të populluar në botë, saqë një rritje çmimi mund të shkaktojë ende protesta, shkruan Bloomberg. Në të vërtetë, disa parti në Indi kanë humbur zgjedhjet, sepse nuk kanë mundur të kontrollojnë çmimin e qepëve, të cilat së bashku me domatet janë elementë kryesorë të dietës së përditshme të qytetarëve. 

Çmimet e larta të ushqimeve mund të pengojnë gjithashtu përpjekjet e Bankës Qendrore, për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të mbajtur nën kontroll inflacionin.

Një restorant McDonald's në Nju Delhi nxori ​​një njoftim, duke informuar klientët e tij për mungesën e domates. “Megjithë përpjekjet tona, ne nuk jemi në gjendje të sigurojmë sasi të mjaftueshme domatesh”, për të kaluar kontrollet e cilësisë, thuhet në deklaratë.

Rrjetet sociale janë plot me meme të lidhura me domatet. Njëra tregon domatet që vrapojnë përpara benzinës dhe naftës, ndërsa një tjetër reklamon iPhone falas me çdo kilogram domate.

Çmimi me pakicë i domateve në Nju Delhi të enjten ishte 120 rupi (1.45 dollarë) për kilogram, krahasuar me 22 rupi në fillim të vitit 2023, sipas të dhënave të përpiluara nga Ministria e Ushqimit. 

Rritja e çmimeve nxit krimin. Një fermer në shtetin jugor të Karnataka ka raportuar vjedhjen e domateve me vlerë 150.000 rupi, sipas "Hindustan Times".

Çmimet e domates zakonisht rriten gjatë periudhës qershor-korrik dhe më pas përsëri në tetor-nëntor për shkak të prodhimit të reduktuar, tha Rohit Kumar Singh, një zyrtar në Ministrinë e Ushqimit. “Ne e quajmë sezonalitet në çmimet e mallrave”, tha ai. “Çmimet do të fillojnë të ulen kur të fillojë korrja nga gushti”.

indi domate

Sondazh

Poll