Aktualitet

Sot Kurban Bajrami, besimtarët falin namazin në xhami apo sheshe kryesore në mbarë Shqipërinë

Besimtarët e kanë nisur këtë mëngjes krejt ndryshe, me faljen e namazit në xhami apo dhe sheshe kryesore në Korçë, Fier, Lushnje, Pogradec, Berat, Bulqizë etj

28 Qershor 2023, 08:59 Nga m.s
Sot Kurban Bajrami, besimtarët falin namazin në xhami apo sheshe
Sot Kurban Bajrami

TIRANE- Kurban Bajrami është festuar nga besimtarët myslimanë në gjithë Shqipërinë. Besimtarët e kanë nisur këtë mëngjes krejt ndryshe, me faljen e namazit në xhami apo dhe sheshe kryesore në Korçë, Fier, Lushnje, Pogradec, Berat, Bulqizë etj.

Fier

Për herë të parë ndër vite, myslimanët e Fierit kanë festuar Kurban Bajramin në qendër të qytetit. Urimin besimtarëve që kishin mbushur sheshin, ua dha myftiu i xhamisë Fier, Mikel Hazizolli, i cili mbajti edhe faljen. Ai përcolli mesazhin për më shumë paqe, mirësi, respekt e dashuri ndaj njeri-tjetrit dhe sidomos për më tepër besim, duke e konsideruar njeriun si pasurinë më të madhe të krijuar nga Zoti. Sipas tij, kjo është festa e të gjithëve, për të kaluar më shumë kohë me familjen, fëmijët, të afërmit e fqinjët.

Festa e Kurban Bajramit në Korçë, Lushnjë dhe Pogradec, besimtarët myslimanë falin namazin

Kurban Bajrami është kremtuar në Lushnje, Korçë dhe Pogradec, ku qindra besimtarë myslimanë kanë shkuar në xhami. Në xhaminë "Iljas Bej Mirahori" të Korçës dhe në Xhaminë “Ebu Bekër” në Pogradec u fal Kurban Bajrami. Në përfundim imami i xhamisë në rrethin e Pogradecit, Mirel Mazelli uroi Kurban Bajramin dhe fokusin e vuri tek familja e cila kohëve të fundit është më e përçarë. Sipas tij, festa si kjo afrojnë anëtarët e familjes me njëri-tjetrin. Qindra besimtarë myslimanë kanë falur namazin e Kurban Bajramit në sheshin qendror të Lushnjës. Faljen e drejtoi myftiu i xhamisë se Lushnjës, Gramoz Blliku.

Berat

Besimtarët myslimanë kanë falur sot Kurban Bajramin në qytetin e Beratit. Falja e madhe është kryer në Pedonalen “Republika”, ku besimtarët janë falur për mirësi, shëndet dhe fat për familjet e tyre. Falja e namazit të Kurban Bajramit, e cila është ndjekur nga qindra besimtarë beratas, ka filluar në orën 06:00 dhe është kryer nga imami Ferben Durra. Ai ka thënë gjatë fjalës së tij se Bajrami është dita e sakrificës dhe sinqeritetit, është një ditë e veçantë ku të gjithë besimtarët duhet të ndihmojnë jetimët e njerëzit në nevojë dhe duhet të respektojnë njëri-tjetrin. Gjatë faljes së madhe, besimtarët myslimanë beratas ju lutën Zotit për më shumë paqe, bekim dhe harmoni.

Bulqizë

Qindra besimtarë myslimanë të rrethit të Bulqizës kanë festuar Kurban Bajramin, që nisi me faljen e Namazit. Riti i Faljes u drejtua nga Myftiu i Bulqizës, Sejdin Strazimiri, i cili në fjalën e tij përpara besimtarëve tha se sot është dita më e madhe e vitit, dita që madhërohet emri i Zotit, ndaj Kurban Bajrami është dita e sakrificës së robit për hatrin e Zotit ndaj bëhet kurban në këtë ditë.

“Sot është dita ku fëmija duhet të tregoje respekt ndaj prindërve dhe më të mëdhenjve, ndaj sot duhet të shtrijmë dorën e pajtimit duke lënë meritë mënjanë, ti shërbejmë vendit, atdheut tonë”, u shpreh Myftiu i Bulqizës.

kurban bajrami

Sondazh

Poll