Politike

Lëvizja MEK, Peleshi: S’do lejojmë krijimin e ‘ishujve’ ku shkelet ligji shqiptar

Peleshi tha se ndërhyrja e policisë në kampin e muxhahedinëve, ka qenë në respekt të plotë të ligjeve të shtetit shqiptar.

23 Qershor 2023, 16:37 Nga m.s
Lëvizja MEK,  Peleshi: S’do lejojmë krijimin e
Niko Peleshi

KORÇË- Nga Korça ku mori pjesë në konstituimin e këshillit bashkiak, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u prononcua lidhur me aksionin e policisë në kampin e muxhahedinëve të MEK në Manzë. Peleshi tha se ndërhyrja e policisë në kampin e muxhahedinëve, ka qenë në respekt të plotë të ligjeve të shtetit shqiptar.

“Sa i përket vijimit, ne jemi të vendosur që të mos lejojmë të krijohen ishuj ku të tejkalohen ligjet. Ne jemi treguar tolerantë brenda kufijve të lejuar. Ne do vazhdojmë të jemi vend pritës, dhe gjithë ato angazhimet që kemi marrë për këtë komunitet, ne do t’i zbatojmë por pa lejuar të shkelen rregullat shqiptare”, tha Peleshi.

Duke folur për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetin Iranian, Peleshi e cilësoi një veprim të drejtë e të matur. Ai shtoi se Irani është një superfuqi kibernetike, por Shqipëria do të reagojë sa herë do cënohet siguria.

“Ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me Iranin ka qenë vendim i drejtë dhe i matur. Ne pasi morëm provat e qarta të sulmeve kibernetike, vendosëm të prishim marrëdhëniet diplomatike. Nuk është një akt i lehtë, sepse Irani është një superfuqi kibernetike, por ne do të reagojmë në këtë rast sa herë të cënohet siguria jonë”, shtoi ministri.

Peleshi tha se Shqipëria është vend i NATO-s, dhe se do të reagojë me vendosmëri ndaj kujtdo që përpiqet të cënojë sigurinë kombëtare.

Duke u ndalur tek marrëdhëniet e tensionuara Kosovë-Serbi, Peleshi i ka kërkuar palës serbe lirim e menjëhershëm të 3 policëve kosovarë, ndërkohë që ka shtuar se nuk duhet të ketë parakushte për të shkuar drejt tavolinës së dialogut.

Policia dhe Prokuroria i kanë drejtuar një kërkesë përfaqësuesve të muxhahedinëve për vendosjen e pamjeve në dispozicion të hetimit. Burime nga SPAK, bëjnë me dije se po verifikohet edhe përmbajtja e dokumenteve që anëtarët e MEK kanë djegur gjatë kontrolleve të policisë. Duke iu referuar SPAK, dyshohet se nga organizata “MEK” nga territori i Republikës së Shqipërisë, janë kryer sulme kibernetike ndaj Republikës islamike të Iranit, në periudha të ndryshme kohore si dhe ndaj institucioneve të shtetit Iranian.

niko peleshi

Sondazh

Poll