Sport

VIDEO/ Kuqezinjtë e Kombëtares në delir…

Dy fitore, 6 pikë, dy golat më të bukur të javës dhe festa e merituar e kuqezinjve

21 Qershor 2023, 15:32 Nga DOSJA

VIDEO/ Kuqezinjtë e Kombëtares në delir…

TIRANE - Kuqezinjtë i mbyllën ndeshjet e muajit qershor në mënyrën më të mirë të mundshme, me dy fitore, që nuk merreshin që nga shtatori i vitit 2021 dhe ajo që vlen më tepër, me dy ndeshje të luajtura mjaft mirë dhe me 6 pikë, që aktualisht i rendisin kuqezinjtë në vendin e dytë në grupin “E”, 1 pikë poshtë Republikës Çeke që kryeson grupin me 7 pikë pas tre ndeshjesh.

Ishin pikërisht këto dy ndeshje të qershorit që kanë bërë edhe xhiron e rrjeteve sociale dhe jo vetëm, nga dy fitoret e arritura, me Moldavinë më 17 qershor dhe me Ishujt Faroe më 20 qershor, UEFA ka përzgjedhur edhe dy golat e kuqezinjve, si më të bukurit e këtyre raundeve.

Bëhet fjalë për golin e Jasir Asanit ndaj Moldavisë në stadiumin “Air Albania”, i cili zhbllokoi takimin, një gol mjaft i bukur. Por ‘bëmat’ nuk janë mbyllur me kaq. Goli i mbrëmjes së djeshme ndaj Ishujve Faroe, i Kristjan Asllanit i ka mahnitur të gjithë, një realizim edhe më i bukur e spektakolar, që UEFA e ka renditur të parin.

Më mirë se kaq nuk kishte se ku të shkonte për kyqezinjtë, të cilët shkojnë të çliruar në pak ditë pushime që i kanë mbetur, pas zborit që i bëri Sylvinho rreth 2 javë në Tiranë, në këtë mbyllje të sezoneve, por që për të thënë të vërtetën, pak ditë i kanë mbetur, kur siç thonë lojtarët, i presin klubet për fazat përgatitore, sepse skuadrat e tyre përgatiten edhe për ndeshjet europiane.

Por deri atëherë, në vendin e largët të mes të oqeanit, Ishujt Faroe, lojtarët e Kombëtares shqiptare, pas ndeshjes kanë qenë të lirë dhe të shijojnë fitoret e merituara, me një pjesë të tifozerisë kuqezi të pranishëm atje.


Një atmosferë entuziaste krejtësisht e merituar për këta djem që rikthyen buzëqeshjen, besimin dhe mbi të gjitha, ekipin kombëtar në rrugën drejt objektivit kryesor, që është kualifikimi për në Europianin e ardhshëm, “Gjermani 2024”.


B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll