Aktualitet

Komisioni i Politikës së Jashtme, Hodaj: Pika e re kufitare me Malin e Zi çelet në fund të vitit 2024

Hapja e pikës së kalimit kufitar dhe ndërtimi i urës, përveç përfitimeve financiare dhe turizmit do të ndikojë ndjeshëm edhe në lehtësimin e shkëmbimeve kulturore ndërmjet dy vendeve.

20 Qershor 2023, 14:25 Nga A.B
Komisioni i Politikës së Jashtme, Hodaj: Pika e re kufitare me Malin e
Julian Hodaj

TIRANË- Hapja e pikës së re kufitare Shën Nikollaj-Pulaj mori dritë 'jeshile' në komisionin për politikën e jashtme. Marrëveshja u nënshkrua mes qeverisë shqiptare dhe asaj malazeze dhe vjen në kuadër të ndërtimit të urës mbi Bunë, duke afruar edhe më tej dy vendet.

I pranishëm ishte Julian Hodaj, zv Ministër i Brendshëm, i cili nënvizoi se, kjo marrëveshje është pjesë e serive të marrëveshjeve të nënshkruara me Malin e Zi, gjatë mbledhjes së dy qeverive në Podgoricë, më 27 shkurt 2023. Po ashtu, ai theksoi pika e re kufitare do u vijë në ndihmë qytetarëve 14 orë në ditë. 

“Kjo marrëveshje është nënshkruar në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive më 27 shkurt 2023 dhe është propozuar nga pala malazeze. Marrëveshje është komplementare, që i vjen në ndihmë funksionalitetit të ndërtimit të urës mbi Bunë, dhe meqenëse do kemi një urë që lidh dy krahët e kufirit, duhet dhe një pikë kufitare.

Do të jetë funksionale 24 orë në ditë, në të 7-ta ditët e javës. Do t’i vijë në ndihmë pasagjerëve dhe mjeteve të tyre. Do të ketë modelin e pikës kufitare të Muriqanit, e cila është me një pikë kontrolli e përbashkët me modelin “One Stop Shop”, pra një ndalim, një kontroll. Të gjithë kemi pasur eksperiencë se sa kohë kursehet në këtë formë”, bëri të ditur Hodaj.

Zv/ministri i Brendshëm shtoi se, “kjo marrëveshje ka disa avantazhe dhe përparësi, qoftë në nivelin e bashkëpunimit policor, qoftë në bashkëpunimin ekonomik. Lehtësim të qarkullimit të mjeteve dhe shtetasve në kalimin e kufirit, si në regjistrim ashtu edhe kontroll. Kjo nuk do të lejojë vetëm lehtësimin e kalimit në kufi të zonave të nën-Shkodrës, Lezhës etj, por do të lehtësojë edhe pikën kufitare të Muriqanit. Në Muriqan kalojnë rreth 600 000 shtetas shqiptarë dhe të huaj vajtje-ardhje në vit. Pra janë rreth 1.2 milionë kontrolle që kryhen”.

Nga ana tjetër do të stimulojë shkëmbimin mes grupeve turistike, shkëmbimin kulturor mes vendeve. Kemi pasur një eksperiencë të mirë me modelin e pikës kufitare të Muriqanit. Urojmë ta kemi dhe në këtë rast. Për sa i përket pjesës ekonomike, do të përballohet nga buxheti i Policisë së Shtetit dhe do të përballohet në planifikimin e buxhetit të ardhshëm të Policisë së Shtetit, pasi pika kufitare do të ndërtohet në vijim të ndërtimit të urës”, nënvizoi Hodaj.

I pyetur për fluksin e pasagjerëve që do të kalojnë në këtë pikë kufitare, Hodaj tha se do i vijë në ndihmë dy pikave të tjera kufitare Muriqanit dhe Hanit të Hotit, ndërsa pikun pritet ta ketë në kohën e sezonit turistik.

Marrëveshja e nënshkruar me 27 shkurt 2023, në Podgoricë nga Kryeministri Edi Rama dhe homologu malazez, Dritan Abazoviç përmban 18 nene. Hapja e pikës së kalimit kufitar dhe ndërtimi i urës, përveç përfitimeve financiare dhe turizmit do të ndikojë ndjeshëm edhe në lehtësimin e shkëmbimeve kulturore ndërmjet dy vendeve./Dosja.al

julian hodaj

Sondazh

Poll