Aktualitet

“Gabim që në themel”, aktivistët kritikojnë parlamentin britanik për klasifikimin e Shqipërisë si “vend i sigurt”

Disa dhjetëra organizata të të drejtave të njeriut në Mbretërinë e Bashkuar kritikuan ashpër një propozim për ndryshim ligjor në Parlamentin Britanik, i cili synon t’i hapë rrugën riatdhesimit të shpejtë të shqiptarëve duke e klasifikuar Shqipërinë si “vend i sigurt” origjine. Organizatat theksojnë korrupsionin, trafikimin e qenieve njerëzore dhe diskriminimin e minorancave si argumente se pse Shqipëria nuk mund të klasifikohet si e tillë.

14 Qershor 2023, 17:23 Nga k.m.
“Gabim që në themel”, aktivistët kritikojnë
Foto ilustruese

Disa dhjetëra organizata të të drejtave të njeriut në Mbretërinë e Bashkuar i bënë thirrje Parlamentit Britanik të mos miratojë një ndryshim ligjor të propozuar nga qeveria britanike që synon të zgjidhë problemin e azilkërkuesve shqiptarë dhe t'i hapë rrugën riatdhesimit të shpejtë të tyre duke e klasifikuar Shqipërinë si “vend i sigurt” origjine, një kategorizim në të cilin Britania vendos vendet e zhvilluara anëtare të Bashkimit Evropian dhe Zonës Ekonomike Evropiane si dhe Zvicrën. Organizatat vërejnë se një klasifikim i tillë është “gabim që në themel”.

“Emërtimi i një shteti si ‘vend i sigurt' duhet të paraprihet nga konfirmimi se atje ‘në gjendjen e zakonshme nuk ka rrezik të persekutimit të shtetasve të atij shteti.' Për fat të keq, Shqipëria nuk e përmbush këtë kriter,” lexohet në letër.

“Vendi vuan nga probleme shumë të rënda si korrupsioni, trafiku i qenieve njerëzore, dhuna e bandave dhe diskriminimi kundër bashkësive të ndryshme, përfshirë LGBTQI, Romët dhe egjiptianët,”- theksohet në letër.

“Dështimi i vazhdueshëm i qeverisë së Shqipërisë për të trajtuar në mënyrë efikase këto probleme është shqetësues,”- vijon më tej letra.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar hasi vështirësi vitin e kaluar në trajtimin e problemit të dhjetëramijëra emigrantëve që kapërcyen kanalin La Manche, i cili ndan Francën me Mbretërinë e Bashkuar, me varka të vogla. Rreth një në tre prej tyre ishin shqiptarë. Një hetim i parlamentit britanik, raporti i së cilës u publikua këtë javë, vuri në dukje se shumica e shqiptarëve duket se janë thjeshtë emigrantë ekonomikë në kërkim të një jete më të mirë në Mbretërinë e Bashkuar por nuk përballen me një nga kriteret që mund t'i japë mbrojtje si azilkërkues, të tilla si persekutimi politik apo fetar apo rreziku i të qenit viktimë trafikimi qeniesh njerëzore.

Ndërkohë, dy anëtarë të qeverisë kanë propozuar një amendim që synon të riatdhesojë shqiptarët pa shumë procedura duke e klasifikuar Shqipërinë thjeshtë si “vend i sigurt”, gjë që do të thotë që pretendimet për azil do të klasifikohen në vend si të papranueshme.

Organizatat e të drejtave vërejnë se fakti që ka aplikime të suksesshme për azil nga shtetas shqiptarë në gjykatat britanike përbën provë që Shqipëria nuk mund të përfshihet në listën e Vendeve të Sigurta.

“Në vitin 2022, Mbretëria e Bashkuar ofroi status mbrojtjeje për më shumë se 650 shtetas shqiptarë, përfshirë mbi 60 fëmijë të pashoqëruar,” - shkruhet në letër.

“Ata prej nesh që ofrojnë mbështetje profesionale për azilkërkuesit shqiptarë dhe viktima të trafikut dëshmojnë drejtpërsëdrejti frikën dhe vuajtjet e bashkësisë së azilkërkuesve shqiptarë,”- shkruhet në letër, në të cilën, vendimi për riklasifikimin e Shqipërisë si vend i sigurt cilësohet si “për nga themelet, gabim.”/BIRN

britani e madhe shqiptaret ne angli

Sondazh

Poll