Politike

Sot s'ka takim mes dy Qeverive! Ç'ndodhi një ditë më parë? Deklarata e Ramës dhe reagimi i Qeverisë së Kosovës

Në mbledhjen e nëntë mes dy qeverive pritej të nënshkruheshin 13 marrëveshje në fusha të ndryshme: drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, kulturës, ndërmarrësisë dhe mbrojtjes. Në mesin e tyre ishte edhe një deklaratë për forcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e sigurisë.

14 Qershor 2023, 08:28 Nga A.B
Sot s'ka takim mes dy Qeverive! Ç'ndodhi një ditë
Edi Rama dhe Albin Kurti

TIRANË- Axhenda ishte bërë gati, e madje edhe marrëveshjet që priteshin të nënshkruheshin nga dy Qeveritë Kosovë-Shqipëri, mirëpo çdo gjë u anulua. Takimi në Gjakovë, që ishte planifikuar të mbahej duke bërë mbledhjen e nëntë të përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, u anulua nga kryeministri Edi Rama. 

Në një konferencë të jashtëzakonshme, ai njoftoi për anulimin e mbledhjes së përbashkët Kosovë-Shqipëri. Rama tha para të gjithëve se kishte informuar Kurtin se në këto kushte, takimi nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar.

“Në kushtet e përkeqësimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar. I kam kërkuar Albinit që të takohemi në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e mbrojtjes dhe të jashtëm”

Sipas tij, për shkak të situatës në veri të Kosovës dhe përkeqësimit të raporteve të Prishtinës me aleatët perëndimor, takimi në Gjakovë nuk është i mundur të mbahet siç është paraparë sepse “nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot”.

“Për fat të keq edhe me shumë keqardhje më duhet të them se nuk kemi pasur dakordësi me Kurtin për një ndryshim të formatit dhe ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutojmë për këtë por kjo nuk është e mundur sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që ndodh me realitetin e Kosovës sot”

Kjo përgjigje erdhi pak orë pas deklaratës së Kurtit, i cili tha se Rama, në vend që të propozojë Asociacion për serbët në Kosovë, le t’ia propozojë një të tillë Beogradit, për shqiptarët në Serbi.

Pas konferencës për media të Ramës, erdhi edhe reagimi i Qeverisë së Kosovës, duke thënë se është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme. 

“Mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të madhe organizative, të cilave u paraprinë një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë. Nesër do të duhej të nënshkruheshin 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës, etj. Janë qytetarët ata që do humbasin më së shumti. Për fat të keq, anulimi i mbledhjes nga ana e kryeministrit Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkruar ato”.

Kjo 'përplasje' mes Shqipërisë dhe Kosovës erdhi për shkak të draftit të propozuar nga Rama....

Çfarë po ndodh në veri të Kosovës dhe pse është tensionuar situata mes Shqipërisë dhe Kosovës?

Tensionet në veriun e Kosovës nisën më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me rezistencën e banorëve lokalë. Në tri këto komuna, vetëqeverisja lokale që funksionon sipas sistemit të Kosovës, është e vendosur në të njëjtat objekte ku punojnë edhe autoritetet paralele serbe. Vetëm në Mitrovicën e Veriut, komuna e Kosovës është e ndarë fizikisht nga ajo serbe dhe atje nuk kishte protesta. Protestat u përshkallëzuan në dhunë më 29 maj, kur grupe qytetarësh serbë u përleshën me ushtarë të KFOR-it në Zveçan.

Dhjetëra të plagosur u raportuan në të dyja anët. Popullata serbe në veri i bojkotoi zgjedhjet e prillit, nga të cilat dolën kryetarët shqiptarë. Përfaqësuesit politikë serbë e justifikuan bojkotimin me, mospërmbushjen e kërkesës së tyre për më shumë autonomi. Kosova dhe Serbia fajësojnë njëra-tjetrën për përshkallëzimin e situatës, komuniteti ndërkombëtar kërkon nga Kosova të organizojë zgjedhje të reja lokale, t’i tërheqë kryetarët shqiptarë dhe policinë nga veriu, si dhe të kthehet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ndërkohë që kryeministri Edi Rama ka ndërhyrë duke dorëzuar një draft-statut për Asosacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Por ky veprim e Ramës nuk është pritur mirë as nga Kosova dhe as nga Serbia, të cilët i kanë kërkuar Ramës që të mos ndërhyjë në çështjen e Asocacionit./Dosja.al

albin kurti edi rama

Sondazh

Poll