Politike

"Duhet të jemi të përgatitur"/ Këshilli i Sigurimit Kombëtar, Begaj: Sulmet kibernetike janë shtuar nga Irani

Kreu i Shtetit theksoi se sulmet synuan shkatërrimin e infrastrukturës dixhitale të Shqipërisë, me qëllim nxitjen e destabilitetit në vend

13 Qershor 2023, 12:19 Nga m.s
"Duhet të jemi të përgatitur"/ Këshilli i
Bajram Begaj

TIRANË- Mesditën e sotme është mbledhur Këshilli i Sigurimit Kombëtar, me urdhër të Presidentit Bajram Begaj. Në fokus të diskutimit është rreziku nga sulmet kibernetike, pas ngjarjeve të paprecedenta në korrik të vitit të kaluar, ku vendi ynë u sulmua disa herë. Kreu i Shtetit theksoi se sulmet synuan shkatërrimin e infrastrukturës dixhitale të Shqipërisë, me qëllim nxitjen e destabilitetit në vend. Një vit pas sulmeve, Begaj deklaroi se është koha të reflektojmë se çfarë kemi bërë dhe sa të përgatitur jemi në përballje me sulme të mundshme. Teksa bëri një bilanc të situatës, kreu i shtetit shtoi se aktorët kërcënues kibernetikë, kryesisht të mbështetur dhe financuar nga Irani, e kanë zgjeruar veprimtarinë e tyre.

"Një vit më parë, ne u përballëm me sulme shumë të rënda, komplekse dhe të sofistikuara kibernetike. Sulmet synuan shkatërrimin e infrastrukturës dixhitale të Republikës së Shqipërisë, me qëllim nxitjen e destabilitetit në vend. Institucionet tona bënë të mundur që aktorët që ndërmorën këto sulme, të mos e realizonin qëllimin e plotë të tyre.  

Vlerësoj maksimalisht punën e bërë nga institucionet. Bashkëpunimi me partnerët strategjikë SHBA, BE, NATO ka mundësuar trajnimin e specialistëve, ekspertëve. Ligji i ri për sigurinë kibernetike dhe strategjia kombëtare e sigurisë kibernetike do i shërbejnë më së miri ndërtimit të kapaciteteve moderne.  

Pavarësisht masave të marra, aktorët kërcënues kibernetikë, kryesisht të mbështetur dhe financuar nga Republika Islamike e Iranit e kanë zgjeruar veprimtarinë e tyre. Sulmet kibernetike janë shtuar si në sasi, por janë bërë edhe më të sofistikuar.  

Një vit pas sulmeve, është koha të reflektojmë se çfarë kemi bërë, sa të përgatitur jemi në përballje me sulme të mundshme. Të vendosim se ku duhet të fokusohen përpjekjet dhe investimet tona, për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes kibernetike. Krahas sigurisë kibernetike, ne do diskutojmë edhe për çështje të tjera me rëndësi për sigurinë kombëtare. Diskutimet gjatë KSK edhe mbi kërcënimet që vijnë nga Irani, në formën e propagandës dhe në forma hibride", tha presidenti.

këshilli i sigurimit kombëtar begaj

Sondazh

Poll