Sport

Karim Benzema rrëfehet, si kurrë më parë: "Unë jam mysliman, është e rëndësishme të jesh në një vend mysliman"

Në një video të publikuar nga klubi i tij i ri Al-Ittihad, “Topi i Artë” ka shpjeguar edhe një nga arsyet e ardhjes së tij në Arabinë Saudite.

9 Qershor 2023, 12:00 Nga DOSJA

Karim Benzema rrëfehet, si kurrë më parë: "Unë jam

ARABIA SAUDITE - Pas nënshkrimit për tre vjet të martën dhe prezantimit të tij spektakolar te Al-Ittihad në Arabinë Saudite, Karim Benzema, shpjegon gjerësisht arsyet e zgjedhjes së tij në një video të publikuar nga klubi i tij, të enjten pasdite: “Ndihem mirë dhe jam i lumtur që i bashkohem një klubi mitik. Do të jetë një sfidë e re, një jetë e re dhe mezi pres të filloj stërvitjen. Është një top klub në Arabinë Saudite, me shumë pasion nga tifozët dhe shumë trofe.”

“Topi i Artë” 2022 përmendi edhe arsye më personale: “Pse Arabia Saudite? Unë jam musliman, është një vend mysliman dhe dua të jetoj atje. Është ndryshe nga Europa, por unë kam qenë në Arabinë Saudite më parë. Ndjehem mirë. Mbi të gjitha, është një vend mysliman, i cili është i bukur dhe këtu dua të jem. Është e rëndësishme të jem në një vend mysliman, ku tashmë e ndjej se njerëzit më duan, kjo do të më lejojë të kem një jetë të re. Unë dua të flas rrjedhshëm gjuhën arabe, për mua është e rëndësishme. Ka plot gjëra të tjera. Jam me fat që jam në Arabinë Saudite, Meka është afër. Unë jam besimtar ndaj është e rëndësishme për mua. Unë jam në vendin tim, këtu do të ndihem më mirë. Kur fola me familjen time, të gjithë ishin shumë të lumtur, të gjithë do të vijnë. E di që vendi ynë është në Arabinë Saudite.”

"Unë jam ende i uritur për të bërë gjëra të mëdha"

Pasi arriti një rekord të madh me Real Madridin (25 tituj), Benzema gjithashtu dëshiron të vazhdojë të shkëlqejë në Ligën Pro Saudite. “Isha krenar që luaja në Madrid dhe përfundova kështu. Shpresoj të sjell futbollin tim në klubin tim të ri dhe të bëj gjithçka për të fituar tituj. Më pëlqen të fitoj tituj. Është një histori e re, do të doja ta çoja këtë klub edhe më lart, edhe nëse është tashmë i lartë. Është një klub që meriton të jetë edhe më i lartë, stadiumi është i jashtëzakonshëm dhe tifozët kanë këtë pasion që i bën lojtarët të duan të jenë më të mirë. Unë jam ende i uritur për të bërë gjëra të mëdha. Kam shumë ambicie, dua të bëj diçka shumë të mirë, është e rëndësishme për mua, për vendin dhe klubin. Dua që fansat të gjejnë veten tek unë, dua të lë gjurmë shumë të mira. E kam ende këtë shpirt luftarak për të shtyrë edhe më tej kufijtë e mi. Shpresoj se do të kemi një sezon të mrekullueshëm.”

Ai foli edhe për ish-bashkëlojtarin e tij në Real Madrid, Cristiano Ronaldo, i cili luan te Al-Nassr. “Ai është një mik, është mirë ta rikthejmë dhe kjo gjithashtu tregon se Arabia Saudite po fillon të rritet gjithnjë e më shumë globalisht. Ka emra të mëdhenj, Cristiano në njërën anë dhe unë sot. Është e rëndësishme të ndërtohet futbolli saudit për të pasur një ndikim tjetër global. Ju duhet të shtyni dhe të sillni me mua gjithçka që munda të bëja në Evropë.”

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll